Përplasjet me armë/ Vuçiç: Kurti është organizatori kryesor i kaosit, kurrë s’do ta njohim Kosovën

schedule20:53 - 24 Shtator, 2023

schedule 20:53 - 24 Shtator, 2023

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka mbajtur një konferencë të jashtëzakonshme për mediat në Serbi, pas tensioneve të fundit në veri të Kosovës ku u vranë disa persona.  Duke deklaruar se Serbia s’ka kontroll efektiv në Kosovë, Vuçiç ka shtuar se u është dashur shumë kohë, që të kuptojnë se çfarë ka ndodhur në Kosovë.

“Në të vërtetë do të flasim vetëm për atë që ka ndodhur, pastaj do ta bëjmë vlerësimin e kësaj. Mbrëmë rreth orës 2 një grup i serbëve nga Kosova i kanë vendosur dy kamionë në Banjskë pastaj vjen Policia e Kosovës që tenton t’i largojë ato barrikada dhe pason konflikti, ku është vrarë një polic dhe një tjetër është plagosur. Në 8:57 vendkalimet në Jarinjë e Bërnjak janë mbyllur dhe të shtënat kanë vazhduar. Ndonëse për këtë kemi folur çdo herë dhe çdo ditë kam tërhequr vërejtjen që kjo mund të ndodhë nga njerëzit në Kosovë, që nuk kanë dashur ta durojnë terrorin e Kurtit”, ka thënë ai.

Presidenti serb u shpreh se nga nëntori i vitit të shkuar, Kurti ka përdorur 62 herë policinë e Kosovës ndaj serbëve në veri. Më tej, Vuçiç shtoi nuk dëshiron të arsyetojë vrasjen e policit dhe se kjo është për t’u gjykuar.

“Është diçka që askush s’kishte nevojë për këtë, aq më pak populli serb, veçanërisht në këtë moment kur të gjithë e kuptuan se Kurti është organizatori kryesor i kaosit në Kosovë”, ka thënë Vuçiç

Ai ka thënë se grupi i serbëve është futur në manastir të Banjskës vetëm “për të kërkuar ndihmë për dy të rinjtë e plagosur”.

“Kur ka ndodhur një konflikt i tillë në Maqedoni janë arritur biseda dhe marrëveshje, ndërkaq sot kanë thënë vritni të gjithë. Kur Serbia ka shkuar në Drenicë që të konfrontohet me ata që kanë dashur të shkëputën nga shteti i njohur ndërkombëtarisht, ata kanë thënë se kanë qenë luftëtarë për liri në krye me Adem Jasharin dhe jo terroristë, vetëm Serbia si duket është terroriste. Kjo është mësim që ta dimë se me kë kemi punë dhe të dimë se ç’është ajo që mendojnë për ne. Keni dëgjuar sot se gjithçka është organizuar nga Beogradi. Ne sot gjithë ditën kemi pasur një takim me Këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe vendimet do t’i marrim me kujdes. Do t’i përgatisim në mënyrë të hollësishme, dhe me këto vendime të dalim para popullit tonë në Kosovë. E thërras bashkësinë ndërkombëtare që Asociacioni të formohet, që në veri të Kosovës të angazhohen policët serbë, sepse kjo është mënyra e vetme që serbët të mos ndiqen nga vatrat e tyre dhe të mos ketë konflikte. Ne i bëjmë thirrje popullit tonë për paqe, dhe t’i besojnë shtetit të tyre. E jona është që të shterojmë gjithçka që kemi mundësinë të bëjmë që të mos ketë gjakderdhje më të madhe. Neve na përket të tentojmë që ta ruajmë paqen”.

Sa i përket kërkesave për njohjen e Kosovës, Vuçiç u shpreh si vijon:

“Ne do të marrim vendime për këto ngjarje dhe jo dikush tjetër. Dyfytyrësia është emri i tyre i mesëm. Gjithë kohën kanë kërkuar arsyetim që ta fajësojnë Serbinë derisa të mos e njohin Kosovën. Ky është presioni për ta njohur Kosovën.  Ky presion do të vazhdojë. Ata që mendojnë se do të bëjmë presionin e madh që Serbia ta njohë Kosovën, do t’u them në mënyrë të fuqishme, kurrë nuk do ta njohim pavarësinë e Kosovës. Mund të na vrisni të gjithëve, mund të thoni çka të doni”, ka shtuar ai.

“Kjo paraqet atë se si duket një luftë speciale ndaj Serbisë. Nuk janë uniforma as të ushtrisë e as policisë së Serbisë, nuk kanë pasur armë speciale. Ne pa lejen e KFOR-it nuk mund të hymë, vetëm nëse duam të hymë në konflikt me NATO-n. Kemi biseduar me Petkoviçin e Listës Serbe. Ata janë me popullin e tyre. Problem është që policia shqiptare ka shtënë në shtëpi private dhe ka trokitur në ato shtëpi për t’i gjetur serbët. Barrikadat që janë vendosur është dashur t’i largojë KFOR-i dhe jo policia e Kosovës, për këtë e ka pësuar polici shqiptar”, ka thënë ai.

“Kosova kurrë s’do ta fitojë pavarësinë e saj, së paku jo nga Republika e Serbisë. Çka do që ndërmarrin ndërkombëtarët, ne vendimet do t’i marrim në ditët në vijim dhe do t’i marrim me kokë të ftohtë. Sa u përket vendimeve se si dhe në çfarë mënyrë do të mbrojmë popullin do t’ju njoftojmë”, u shrpeh Vuçiç.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Zveçla u shpreh se janë vrarë të paktën tre persona që qëlluan për vdekje policin, ndërsa gjashtë të tjerë janë arrestuar. Ai tha se Policia ka gjetur armatim të rëndë dhe pas disa orësh përballje me “terroristët” kanë rikthyer kontrollin e plotë në gjithë territorin e vendit/ n.m.abcnews.al