Përplasje në Durrës ditën e zgjedhjeve? Përgjigjet kandidatja për kryetare bashkie

schedule22:08 - 11 Qershor, 2019

schedule 22:08 - 11 Qershor, 2019

Valbona Sakollari është kandidatja e Bindjes Demokratike në Bashkinë e Durrësit. Ajo ishte e ftuar këtë të martë në emisionin “Provokacija”. Ajo tregoi se Bindja demokratike është e përgatitur për zgjedhjet kurdo që të bëhen.

“Zgjedhjet lokale patjetër që do bëhen dikur. Ne jemi përgatitur për datën 30 qershor, por kurdo që të jetë ne jemi në garë për të marrë pjesë. Nuk e kemi vendosur ne datën. Nuk na intereson, nuk na ndryshon asgjë”, tha Sakollari.

Sakollari tregoi që nuk është marrë asnjëherë më parë me politikë. Të kandiduarit nën siglën e Bindjes Demokratike është eksperienca e parë politike për të. Ajo theksoi gjatë emisionit se qyteti bregdetar ka sistemin më problematik të qeverisjes lokale. Ndërkohë, momentin e krijimit të partisë ku bën pjesë vetë, Sakollari e konsideron si avantazh.

“Unë e shoh si avantazh dhe mendoj se është momenti i duhur i krijimit të Bindjes. Padyshim që në çdo moment që do ishte krijuar do kishte një kritikë. Ka pasur dhe parti të tjera dhe oferta të tjera politike të krijuara vitet e fundit që ndoshta nuk kanë funksionuar dhe nuk kanë pasur rezultatet e duhura. Bindja Demokratike mendoj se ka pasur momentin e duhur, kur fusha nuk ishte tërësisht e zënë dhe kjo është një lloj strategjie”, tha ajo.

Ndër të tjera, Valbona Sakollari thekson se nuk do të ketë përplasje mes qytetarëve në Durrës për zgjedhje.

“Nuk e besoj. Duke ndjerë atmosferën aty nuk e besoj. Durrsakët mbahen si qytetarë të qetë, indiferentë. Në jetën e përditshme këtë lloj konflikti nuk e ndjen”, tha ajo./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!