Përplasja mes institucioneve/ Ku po shkon Ilir Meta?

schedule16:49 - 23 Nëntor, 2019

schedule 16:49 - 23 Nëntor, 2019

“Ku po shkon Ilir Meta?” Eshtë pyetja të cilës tenton t’i japë një përgjigje këtë javë Politika në ABC News. Përplasja e kreut të shtetit me mazhorancën e ambasadorët është frontale, por Ilir Meta e çoi edhe më tej, duke u bërë thirrje shqiptarëve të marrin fatet e tyre në dorë.

Emocionet personale dominuan ato institucionale, në përplasjen tashmë frontale mes presidentit e mazhorancës. Shkak i dukshëm është konflikti për ngritjen e Gjykatës Kushtetuese. Për herë të parë një President, pasi vizaton një shtet të kapur nga mazhoranca qeverisëse, i bën thirrje popullit për referendum, në mbrojtje të demokracisë. Përkundër këtij qëndrimi të Presidentit, opozita jashtë Kuvendit po e gjen gjuhën me mazhorancën për reformën zgjedhore, që do i hapte rrugë synimit të saj për zgjedhje të parakohshme. Në këtë panoramë, vetë Kryeministri pati kohë edhe për pasionin profesional, artin.

https://youtu.be/VXZNkFqRKoo

Po çfarë ndodhi javën politike që lamë pas?

Emërimi i dy kandidateve për vakancën e Presidentit në Gjykatën Kushtetuese, solli një përplasje të fortë politike, që në vijë të parë ka institucionet, e kosto edhe ndërkombëtarët.

Ideja për të marrë një opinion profesional nga Komisioni i Venecias për situatën në GJK, si dhe shkarkimi nga KPA i të dekretuarit të parë të presidentit Meta, Besnik Muci, rindezi edhe më tej tensionin politik.

Dy herë brenda pak ditëve Ilir Meta tha se do publikonte një video ku faktohej faktohej sesi kreu i KED Ardian Dvorani, kishte përvetësuar kompetencat kushtetuese Presidentit, duke çuar në shpalljen automatikisht fituese të një gjyqtareje e renditur e para nga KED, Arta Vorpsit. Ndërkaq e dekretuara e tij Marsida Xhaferllari, u njoh si e tillë nga trupa 4 antarëshe e Gjykatës Kushtetuese, që drejtohet nga gjyqtarja më e vjetër, Vitore Tusha, përcaktuese edhe në ndarjen 2 me 2 në vendimin e trupës pro Xhaferllarit. Pikërisht Vitore Tushën shigjetoi javën politike që lamë pas, ish-drejtuesi parlamentar i hartimit të reformës në drejtësi Fatmir Xhafaj.

Në web e Gjykatës znj.Tusha ka botuar listën e anëtarëve të rinj! Pyetja është kë të besojmë, znj.Tusha n/kryetare të KED që ka shpallur znj.Vorpsi fituese apo znj.Tusha gjyqtare, që nuk respekton as vendimin e organit që drejton. Në cilin kuorum të Gjykatës Kushtetuese u bazua kjo vendimmarrje?

Kreu i shtetit e konsideroi presion skandaloz dhe kujtoi videon që po përgatitej si provë. Në pritje, finalizoi padinë penale ndaj Ardian Dvoranit për shpërdorim detyre dhe përvetësim të titullit apo detyrës shtetërore. Kallëzimi 38 faqesh ku thuhet se veprimet e kreut të KED e kapërcejnë kufirin e shkeljes disiplinore, u përcollën me korrierin presidencial në PP, PKR dhe PT.

“Presidenti i Republikës vlerëson ekzistencën e një rreziku real që i akuzuari Ardian Dvorani të kryejë sërish veprime kriminale dhe mafioze në shkelje të ngjashme të Kushtetutës dhe ligjit, që do të ndikonin drejtpërdrejt në mirëfunksionimin e organeve te reja kushtetuese”.

Reagimi i kreut të KED, ishte i gjatë, e po aq emocional sa deklaratat e presidentit.

“Për momentin, parashtroj publikisht se, edhe vetë sjelljet dhe veprimet e mia, qoftë edhe ato të pavërteta por të dëshiruara si të tilla nga kallëzuesi, janë të tilla në natyrë që jo vetëm nuk përbëjnë ndonjë vepër penale, por as edhe ndonjë shkelje tjetër të ligjit. Por akoma më serioze është fakti që vetë ky kallëzim penal, sikurse edhe të gjitha deklarimet e zhurmshme të Presidentit, bazohen në një vlerësim dhe interpretim tërësisht të gabuar dhe aspak profesional të Kushtetutës dhe të ligjit”.

Në fakt një regjistrim kallëzimi penal, do e nxirrte jashtë loje Ardian Dvoranin, por edhe vinte në pikëpyetje funksionimin e KED së ardhshme, që zgjidhet çdo vit me afat një vjeçar. Sipas ligjit Presidenti duhet të hedhë brenda 5 ditëve të para të dhjetorit shortin për KED e re, që drejtohet nga një anëtar i Gjykatës së Lartë i paracaktuar është Ardian Dvorani, anëtar i vetëm i kësaj gjykate, i vetmi që qëndron në detyrë, edhe pse mandati i ka mbaruar prej afro 6 vitesh, konkretisht në shkurt 2014.

Por ulja e Xhaferllarit në karrigen e Gjykatëses Kushtetuese, nuk duket një histori e mbyllur. Interesante ishte javën politike që lamë pas, mënyra se si u hodh në publik ideja për të marrë një opinion nga Komisioni i Venecias nëse vendi në Kushtetuese i takonte Arta Vorpsit të përzgjedhur nga KED apo Marsida Xhaferllarit të dekretuar nga Presidenti. I pari e propozoi ambasadori italian më 15 Nëntor, pikërisht ditën kur kuvendi në një seancë të jashtëzakonshme miratoi një rezolutë, që i kërkonte GJK, të mos njihte dekretin e presidentit për Xhaferllarin.

“Kam parë se ka fatkeqësisht divergjenca në interpretimin e ligjeve për Gjykatën Kushtuese mes institucioneve më të larta në vend, që duhet të bashkëpunojnë në mënyrë të përgjegjshme për gjetjen e një zgjidhjeje jo të imponuar por të pranueshme nga të gjithë. Prandaj uroj që kjo zgjidhje e pranueshme të gjendet. Personalisht mendoj se do ishte e nevojshme, për të ndihmuar arritjen e një vizioni të përbashkët, që t’i kërkohet opinion një organizmi ndërkombëtar kompetent, kam parasysh komisionin e Venecias, që mund të tregojë rrugën e duhur që duhet ndjekur”.

Deklarata e ambasadorit italian kaloi pa vëmendje, madje edhe kur ideja u rimor nga Fatmir Xhafaj, pas publikimit në faqen e GJK të anëtares Marsida Xhaferllari.

“Kur arsyeja mungon, fryma dhe gërma e kushtetutës lexohen keq, duhet reagim. Kryesorja me mekanizma politikë, por edhe me veprime të mirëmenduara ligjore, institucionale dhe gjyqësore. Nëse duhet ka edhe precedentë e ekspertizë ndërkombëtare”.

Por ndryshe nga homologu e bashkëkombasi Cutillo, ambasadori i BE Luiggi Soreca sugjeron që çështja të zgjidhet me dialog të brendshëm.

“U bëjmë thirrje institucioneve, që të lënë mënyrë konfliktet për Gjykatën Kushtetuese dhe të ngrenë një institucion të besueshëm. Dialogu është i domosdoshëm në këtë situatë. Ne u bëjmë të gjitha institucioneve të bëhen bashkë dhe të gjejnë zgjidhje në Kushtetutë. Ne japim asistencë teknike dhe nuk mund të vlerësojmë si është zbatuar Kushtetuta”.

E ndryshe nga ambasadori, disa orë më vonë, zëdhënësja e KE në largim, artikuloi idenë që zgjidhja të vinte nga Komisioni i Venecias.

“Në mungesë të një Gjykate Kushtetuese funksionale që mund të vendosë mbi këtë interpretim të papajtueshëm, rekursi për një mendim të Komisionit të Venecias, duket si një zgjidhje efektive për ta trajtuar këtë situatë, si një çështje me përparësi”.

Sërish ajo ide nuk pati vëmendjen e duhur publike, mes zhurmës së debatit, që protagonist kishte presidentin e Republikës, deri kur u risoll mëngjesin e të mërkurës në një deklaratë zyrtare të ambasadës usa.

“Institucionet gjyqësore shqiptare, kushtetuta dhe ligjet për zbatimin e reformës në drejtësi, duhet të udhëheqin procesin e zgjidhjes së këtyre interpretimeve të debatuara. Në mungesë të një institucioni të përshtatshëm ligjor, i cili mund të vendoste mbi interpretimet e kundërta, Shtetet e Bashkuara mbështesin çuarjen e çështjes në Komisionin e Venecias, si një palë e tretë kompetente dhe e paanshme, për opinionin e tij ligjor. Gjithashtu, nxisim palët kundërshtuese që të respektojnë opinionin ligjor të Komisionit të Venecias. Ecja në këtë drejtim do të ishte tërësisht në përputhje me aspiratat europiane të vendit”.

Ishte momenti kur ideja mori vëmendje, por edhe kundërvënie nga Presidenti i Republikës. Së pari përmes zëdhënësit, duke shigjetuar propozuesin e parë, ambasadorin italian, por edhe të fundit, ambasadën amerikane.

“Garantët e veprimeve të paligjshme dhe mafioze të Dvoranit e kanë marrë mbrëmë përgjigjen zyrtare në një bisedë zyrtare tepër të përgjegjshme të Kryetarit të Shtetit. Tymi i Venecias që hodhi me porosi të Ramës, Ambasadori në ikje i Agaçit pak ditë më parë, është turpi më i fundit i grupit të strukturuar diplomatik në Tiranë, bashkëfajtor për dhunimin sistematik të Reformës në Drejtesi dhe me qëllim kapjen e saj të plotë nga Regjimi monist i Edi Ramës. Mjaft më “Rule of Embassy”. Është koha për “Rule of Laë” si çdo vend demokratik”.

Biseda zyrtare tepër e përgjegjshme, të cilës i referohej zëdhënësi Tedi Blushi, rezultoi të ishte një telefonatë 30 minutëshe me Mattheë Palmer, që u konfirmua si nga ambasada e SHBA në Shqipëri, ashtu edhe nga Presidenca.

Burime për ABC Neës bëjnë me dije se në fokus të bisedimeve mes tyre kanë qenë përplasjet për emërimet në Gjykatën Kushtetuese dhe situata politike në Shqipëri, si dhe betimi para presidentit të 8 prokurorëve të SPAK.

Aktivizimi i instinktit politik tek Ilir Meta, u shoqërua me simbolika luftarake. Ky nderim i gardistit të institucionit, me komentin se ai do ishte ushtari i dytë pas presidentit, në mbrojtje të Republikës

“Hipokritët që po çojnë aktet në Venecia janë hipokritë, sepse duhet të kishin çuar emërimin e Arta Markut me 69 vota. Nuk besoj se keni harruar deklaratën e Xhafës”

A lidhej vallë shpërthimi i Metës, me një tjetër ngjarje të ditës, shkarkimin e të dekretuarit të tij të parë në Kushtetuese, Besnik Muçi?

Besnik Muci, e cilësoi të pavlefshëm procesin dhe vendimin e KPA ndaj tij.

Argumentimi mbrojtës ishin tiradat për institucionet që e kishin konfirmuar.

Në fakt Besnik Muçi spikat për pasionin për të kandiduar për çdo funksion në 2 vitet e fundit. Ai ishte pjesë e garës që u nxit nga ndërkombëtarët për PPP në 2017, ku fituese u shpall Arta Marku. Të ishte vallë ajo gatishmëri e treguar prej tij në 2017, siguria që ambicja profesionale të mos ndalej aty? Kur në shtator 2019 nisi shqyrtimi i ankimimit në shkallën e dytë të vettingut, përveçse anëtar i KLP, Besnik Muçi ishte edhe kandidat si për Gjykatën Kushtetuese, ashtu edhe për SPAK. Më 15 tetor Presidenti e dekreton gjyqtar kushtetues, por 6 ditë më vonë, Besnik Muçi shkarkohet nga shkalla e dytë e vettingut, e Gjykata Kushtetuese mbetet sërish me 4 anëtarë.

“0 surprizë nga vettingu i partisë. Ju e dini që vetting-u i Partisë u shpall para pak ditësh për zotin Muçi. Nuk jam i habitur se ai që ditën e parë që ka hyrë në zyrë ka pasur presione që të bëhej pjesë e puçit për të penguar Marsida Xhaferllarin që u betua si anëtare e Gjykatës Kushtetuese…Nëse doni emra, nuk e keni harruar zotin Xhafaj, i cili publikisht i bëri shantazh Vitore Tushës, e cila jo vetëm kaloi vetting-un, por qëndroi në detyrë me sforco, për të mbajtur hapur dyert e Gjykatës Kushtetuese”.

Të nesërmen Besnik Muçi iu drejtua me një kërkesë kryetares Vitore Tusha, ku i kërkonte të shprehej mbi përfundimin e mandatit të tij në GJK. Deri në një vendim, bënte të ditur Muçi, do të qëndronte në detyrë. Por lëvizjet që pasuan ishin interesante: Presidenti e thirri të dekretuarin e vet dhe i kërkoi të rishikonte vendimin, e të mos qëndronte në detyrë. Pak minuta pas atij takimi, emri i Muçit u hoq nga përbërja e trupës në faqen zyrtare të Gjykatës Kushtetuese, ndërsa Presidenti shpalli vakancën për postin e tij.

A ishte vallë lëshimi i menjëhershëm i Besnik Muçit, pavarësisht anatemimit të vendimit të KPA, një lëvizje tolerance, që të pranohej e zgjedhura tjetër e Presidentit, Marsida Xhaferllari?

Ndryshe nga një vit më parë, Ilir Meta duket i vendosur ta hedhë siç i takon shortin për KED e re, më 5 dhjetor, e të rrisë monitorimin ndaj punës së këtij Këshilli. Nga ana tjetër po kërkon legjitimitet për veprimet e veta, përmes takimeve, të nisura prej ditësh, me aktorë politikë e të shoqërisë civile, duke nisur nga ish presidentët. Dobësia e njohur për Sali Berishën kapërceu protokollin institucional, në pritje e përcjellje. Si ish president e ish Kryeminsitri, Berisha u shfaq sinkron me Presidentin e Republikës.

Njëlloj edhe paraardhësi i Metës, Bujar Nishani.

Bamir Topi e sheh problemin më thellë, tek ndryshimet kushtetuese të 21 prillit 2008, në atë kohë, të dakordësuara mes Berishës e Ramës e të kundërshtuara nga Ilir Meta.

Edhe takimi me opozitën e bashkuar pati simbolika që e tejkaluan protokollin. Lulzim Bashës iu ofrua hyrja nga porta kryesore, që protokolli e parashikon për presidentë, Kryeminstra e ambasadorë, ndërsa aleatët, hynë njëri pas tjetrit nga dera anësore e institucionit. Në njoftimin për shtyp të presidentit spikati mbështetja për qëndrimin e opozitës për zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme të menjëhershme. I dha zë edhe Lulzim Basha.

Duket se Ilir Meta po luan gjithçka për gjithçka, në rastin e Gjykatës Kushtetuese, duke mos kursyer as vetë ambasadorët. Javën politike që lamë pas, shpalli non grata në institucionin që drejton ambasadorin e OSBE Borchard. Në notën verbale që i ishte përcjellë selisë qëndrore të OSBE, prezencës në Tiranë dhe ministrisë së jashtme, si shkak jepej qëndrimi i ambasadorit për dekretin e Presidentit për zgjedhjet e 30 qershorit, si dhe një gjest të dënueshëm me gisht në publik. Kërkesa e presidentit u respektua nga OSBE dhe ambasadori Borchardt nuk e shoqëroi delegacionin e nivelit të lartë të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, në takimin me kreun e shtetit. Por ndryshe nga Presidenca, me gjithë qasjen e ngjashme për Borchard, PD e priti ambasadorin, që shoqëroi të njëjtin delegacion, në takimin me Lulzim Bashën. Në fakt ishte pikërisht ambasadori Borchardt, ai që mundësoi uljen e opozitës politike në tryezën e reformës zgjedhore, bashkë me komisionin e posaçëm parlamentar që bashkëdrejtohet nga Damian Gjiknuri e Rudina Hajdari. Opozita joparlamentare e mori kështu de fakto vendin që i ishte rezervuar në tryezën e reformës zgjedhore. Pas diskutimit 5 orësh me dyer të mbyllura, PS e PD u shfaqën në sinkron për një proces që duket se po u ecën edhe më mirë, nga sa shprehen publikisht.

Nga ana tjetër, duket sikur socialistët po sillen kujdesshëm me Presidentin, duke shmangur konfliktin direkt, që Ilir Meta e ka pikë të fortë. Nuk po nxitojnë më të votojnë shkarkimin e tij, i parashikuar në 8 Dhjetor, ndërsa KM nuk është përfshirë në debatin për Gjykatën Kushtetuese. Mungesa e tij e pati një arsye të dukshme javën politike që lamë pas. Ajo ishte artistike, pasi Muzeu i Artit në Nevada të SHBA, njoftoi për një ekspozitë të Km të Shqipërisë, duke i ftuar që të takonin Edi Ramën, i pranishëm, të enjten e 21 Nëntorit. Prania e Kryeministrit u bë e ditur edhe nga një postim i zv/guvernatores së Nevadës, që e kishte takuar në përgatitjet për hapjen e ekspozitës së tij. Ditën e caktuar, 4 orë para hapjes së ekspozitës, Galeria bënte njoftimin e ri, sipas të cilit Kryeministrit i ishte dashur të largohej për punë urgjente politike. Edi Rama e zbardhi një arsye në Tëitter. U shfaq në kryeqytetin e Arabisë Saudite në Rijad, për të diskutuar siç shkruante mbi ecurinë e përgatitjeve për investime të rëndësishme, ndërsa i kishte dhuruar princit saudit të kurorës librin e fundit për artin e tij, i titulluar “Punë”.

Në Tiranë ndërkohë Taulant Balla njoftonte zgjatjen e afatit të punës së komisionit parlamentar për shkarkimin e Metës, për t’i shtuar hetimit edhe dekretimin e Marsida Xhaferllarit.

A po i jepet vallë mundësi një marrëveshjeje, si ato që kemi konstatuar në të kaluarën? Padyshim që GJK ka një peshë të jashtëzakonshme për çështjet e nxehta në vend. I duhen edhe dy anëtarë për të arritur nr. 6, kur bëhet funksionale për vendimmarrje, që nga zgjedhjet e 30 qershorit, një nga 9 kushtet e Bundestagut, që ose do ta çonte vendin automatikisht vendin në zgjedhje të parakohshme vendore, ose do t’i jepte të drejtë socialistëve që kërkojnë shkarkimin e Metës.

A është vallë lëshimi i të zgjedhurit të tij Besnik Muçi, një sinjal kompromisi i Metës, që të pranohet dekretimi i të zgjedhurës tjetër të tij, Marsida Xhaferllarit? Koha do e tregojë, por duket edhe një sinjal ndaj merakut të lexueshëm, se mos Meta nuk pranon betimin e anëtarëve të SPAK, struktura e posaçme e hetimit, që pritet të zgjidhet javën e ardhshme.

Kreu i KLP, institucionit që i përzgjedh anëtarët më të mirë për SPAK, i shkoi në zyrë Presidentit javën politike që lamë pas, për ta informuar personalisht mbi këtë proces, i cili ka qenë pjesë edhe e telefonatës që zv ndihmës sekretari amerikan Palmer i bëri kreut të shtetit mbrëmjen e të mërkurës.

Një komunikim të kujdesshëm në distancë pati mes DASH dhe presidentit Meta mbrëmjen e të premtes. Zëdhënesi i tha VOA se DASH po e ndjek situatën teksa ishte njohur me deklaratën e Metës “Jo më shtet të ambasadave, por shtet të së drejtës”. Sipas tij qëndrimi i SHBA nuk ka ndyshuar, se respektimi i ligjit është mbi të gjitha, ndërsa përparimi me reformat është jetik për stabilitetin dhe begatinë e Shqipërisë, e antarësimin në BE. Nga ana e tij Presidenti përshëndeti deklaratën, duke konfirmuar vendosmërinë për të bashkëpunuar ngushtë me DASH e SHBA për zbatimin e Reformës në Drejtësi sipas Kushtetutës së miratuar me SHBA e komisionin e Venecias. Kujdeshëm Ilir Meta kujtoi se as qëndrimet e tij nuk kishin ndryshuar, të shprehura zyrtarisht për përfaqësuesit e lartë amerikanë gjatë 5 viteve të fundit, e të përsëritura edhe në bisedën e fundit telefonike me Mattheë Palmer.

Nuk pati një reagim nga Presidenti, ndaj qëndrimit të përcjellë nga zëdhënësja e KE Maja Kocijançiç, që i cilësoi të papranueshme deklaratat e Metës që venë në dyshim integritetin e bashkësisë diplomatike të BE në Tiranë europianë në Tiranë.

Por mbrëmjen e të premtes, Meta president ftoi shqiptarët për një referendum, në mbrojtje të kushtetutës, por pa e përcaktuar se si do orgnizohet, në kushtet kur ligji ia njeh këtë të drejtë parlamentit dhe 50 mijë zgjedhësve, aryeja për të cilën Shqipëria ka njohur vetëm 3 referendume ne tre dekadat e fundit, të tre të iniciuar nga parlamenti.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!