Një aksident automobilistik i ka marrë jetën shefit të Njësisë Operacionale të Gardës së Republikës, Martin Nika. 50 vjeçari ka humbur jetën në qender të kryeqytetit, pranë kryeministrisë. Nika sapo kishte kontrolluar shërbimet e Gardës pranë kryeministrisë pas mesnatës, rreth orës 00.30, kur makina e drejtuar nga Albert Memia e ka përplasur për vdekje. Sipas policisë, 31 vjecari Memia, i cili është arrestuar në flagrance, ka qenë duke drejtuar mjetin “Volksvaken Pasat”, me targë AA 881 JL, kur ka përplasur shefin e Njësisë Operacionale të Gardës së Republikës. Memia dyshohet se ka qenë me shpejtësi tej normave të lejuara kur ka ndodhur përplasja fatale per 50 vjecarin Martin Nika, i cili ka qenë në këmbë kur është goditur nga makina.
Martin Nika ka qenë më parë shef i shoqërimit të delegacioneve. Ai ka shoqëruar gjatë vizitave në vendin tonë të personaliteve të shumta si ish-presidenti amerikan George Bush, Papa Francesku apo dhe ish-Sekretarja amerikane e Shtetit Hilari Clinton./abcnews.al