Përplasen në distancë Rama e Berisha

schedule17:03 - 14 Shtator, 2018

schedule 17:03 - 14 Shtator, 2018

Kryeministri Edi Rama për herë të parë ka folur mbi idenë e ndryshimit të kufijve midis Kosovës dhe Serbisë. Ai nuk ka pranuar të japë një qëndrim të prerë por ka pritur të njihet me propozimin konkret. Nga ana tjeter ish-kryeministri Sali Berisha ka përsëritur se është pro marrëveshjes por kundër ndarjes së territoreve.

Kryeministri aktual dhe paraardhësi i tij kanë qenë në një mendje për t’ju nënshtruar personalisht procesit të Vettingut të politikanëve. Në të njëjtën kohë në dy studio të ndryshme televizive, Kryeministri Edi Rama dhe ish kryeministri Sali Berisha kanë treguar se çfarë i ndan edhe sot në politikë. Kreu i qevrisë foli për herë të parë mbi idenë e shkëmbimit të territoreve midis Kosovës e Serbisë. Ai nuk pranoi të pozicionohej në pro apo kundër pasi siç u shpreh ka zgjedhur të presë.

Edi Rama: “Dialogu në vetvete me Serbinë është një copë e madhe politike, është një kafshatë e madhe politike, të cilën ne duhet të jemi në gjendje ta përtypim në vete me dinjitet dhe unitet dhe jo ta kthejmë në një kafshatë që do na ngeci në fyt dhe ta paguajmë në vite të tëra pastaj mungesën e nje qasje strategjike në këtë aspekt.”

Në të njëjtën kohë, ish-kryeministri Sali Berisha në studion e opinion në TV Klan tregoi se i ka idetë e qarta: pro një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, por jo shkëmbimit të territoreve mes dy vendeve.

Sali Berisha: “Absolutisht nuk jam kundër një marrëveshje. Kam mbështetur, mbështes dhe do të mbështe një marrëveshje. Në konceptin tim ajo duhet të jetë një marrëveshje mes dy vendeve sovrane që respektojnë tërësisht integritetin dhe sovranitetin territorial të njëri-tjetrit. Lexo Rezolutën e Maltës, neni 11 i së cilës përjashton kategorikisht ndryshimin e kufijve në Ballkanin Perëndimor. Nuk bashkohemi në kur duan serbët, kurrën e kurrës, do të ishte gabim fatal historik nëse ne bashkohemi.”

Kryeministri dhe ish-kryeministri ndahen edhe për qëndrimin që po mban presidenti i Kosovës Hashim Thaçi.

Sali Berisha: “Projekti i bashkimit është i Beogradit, është një projekt serb dhe tani një argat apo disa argatë kanë marrë flamurin dhe ua shesin shqiptarëve sikur janë budallenj, sikur janë njerëz pa memorie historike, politike si projekt të tyre. ”

Edi Rama: “Ai mund të jetë më i qarte se nga të gjithë ne të tjerët sepse është brenda në proces dhe është dhe në respekt të faktit që ai është dhe president i Kosovës në një proces që nuk mund të bëhet kjo histori “gjuaj me gurë” vendin e Kosovës pavarsisht se si quhet, pavarsisht se sa e do dhe se nuk e sheh dot me sy. Ndërkohë që aty flitet për Kosovën dhe për kombin shqiptar, nuk është thjesht Kosova në këtë mes në qoftë se duam ne.”

Kryefjala e aktualitietit politik, Vetting-u i bashkon në një pikë Edi Ramën dhe Sali Berishën. Të dy pranojnë ti nënshtrohen këtij procesi.

Sali Berisha: “1 mijë Vetingje po deshe.”

Edi Rama: “Do të isha shumë i lumtur që të fillonte kjo gjë nga sarjet e mia, çdo shpenzim.”

Kërkesës së opozitës për të miratuar nismën për Vetting në politikë kryeministri Rama i dha një përgjigje të re.

Edi Rama: “Kjo është një nismë kushtetuese dhe ne do t’ja çojmë Komisionit të Venecias. S’kemi pse hyjmë në një luftë për asgjënë. Hedh Luli një gur në lumë, s’kanë pse zhyten 100 njerëz që ta nxjerrin.”

Por gjithçka thotë dhe bën kryeministri para dhe pas syve të publikut, për Sali Berishën janë panorama e një figure të rrezikshme që qeveresi sot vendin. Zgjidhja për ta larguar nuk është vota deklaron ai.

Sali Berisha: “Pa diskutim që ka bërë opozitë dhe opozitë të fortë. Unë do të bëja gjithçka që ti çoja patkonjtë Edi Ramës qoftë edhe me mjetet që ju mund ti kritikoni. Në kushtet e grushtit të shtetit, mjetet janë të gjitha.”

Opozita që po bën Lulzim Basha është e duhura por është vetëvrasje poltike të garosh me Edi Ramën në pushtet tha Sali berisha.

Sali Berisha: “Është vetëvrasje për opozitën nësë futet në zgjedhje pa rrëzuar Edi Ramën. Qytetarët shqiptarë vetëm do të shpërndahen në shkretëtirë dhe do të ikin nga vendi i tyre se të ardhme në këtë vend nuk ka. Pa diskutim kjo është thirrje për mosbindje civile, për mosbindje masive”.

Nga ana tjetër kryeministri Rama shpreh edhe një herë sigurinë se do ti fitojë zgjedhjet përballë një artisiti siç e quan ai Lulzim Bashën.

Edi Rama: “Ky mua më ngazëllen kur e shoh se është artist në kuptimin mashtrues.”

Paralelisht sollën argumetat e tyre në dy televizione kombëtare mbi poltikën në Shqipëri dhe Kosovë. Por nëse Sali Berisha vazhdon të këmbëngulë në ngritjen peshë të njerëzve, Edi Rama ka planifikuar të ardhme të ndryshme në moshën e tretë.

Sali Berisha: “Unë do të rrij avokat i interesit publik. S’kam asnjë interes karriere e pushteti e gjëje prej gjëje. I çliruar nga gjithçka por jo nga avokatia e interesit publik siç e mendoj unë.”

Edi Rama: “Do ti shes vetë kur të iki nga politika. E kam thënë këtë gjë, do të kem një jetë të tretë se nuk do rri të plakem e të marr nëpër gojë dynjanë. Se këtij s’ka njeri që ti thotë lere këtë muhabet dhe merru me kalamajtë e kalamajve. Se di, por me siguri do të largohem shumë më përpara se do të vijë dita që së largu mund të mendohet se mund të bëhem si puna e këtij. Kjo nuk diskutohet, më vjen keq për këtë, sinqerisht.”/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!