Një 33 vjeçar dhe vajza e tij 6 vjeçe kanë humbur jetën në një aksident tragjik në unazën e qytetit të Korçës. Ata u goditën në trotuar nga një makinë që ishte përplasur më parë me një tjetër automjet. Dy drejtuesit e tyre, një prej të cilëve drejtori i Ujësjellës- Kanalizimeve në Maliq, u shoqëruan në Komisariatin e Policisë.
Babë e bijë humbën jetën pas përplasjes së dy mjeteve në lagjen nr. 18 në unazën e qytetit të Korçës. Sokol Hoxhallari 33 vjeç dhe vajza e tij 6 vjeçe ishin duke ecur ne trotuar kur një makinë i ka goditur per vdekje.
Përplasja ishte e fortë dhe nuk pati mundësi shpëtimi për ta.
Sipas burimeve të Policisë mësohet se mjeti tip Volkvagen që drejtohej nga Petrit Kupe po ecte me shpejtësi tej normave të lejuara dhe kur është futur në parakalim, është përplasur kokë më kokë me makinën që vinte përballë.
Mjeti tjetër tip Benz që u përfshi në aksident drejtohej nga Lorenc Pallashi. Të dy drejtuesit e automjeteve kanë shpëtuar pa lëndime.
Policia ka shoqëruar nëkomisariat dy shoferët të cilët do të qëndrojnë në qeli deri në sqarimin e rrethanave të aksidentit tragjik.
Mësohet se Petrit Kupe është drejtor i Ujësjellës Kanalizimeve në Bashkinë e Maliqit.
Një grup hetimor po punon për zbadhjen e ngjarjes ku humbën jetën dy pjesëtarë të së njëjtës familje.
/abcnews.al