Një aksident i rëndë ka ndodhur në rrugën “Bardhyl” në Tiranë mëngjesin e sotëm. Sikurse duket nga pamjet, në aksident është përfshirë një automjet tip “Mercedes-Benz C-Class” me targa AA 561 LM i cili ka humbur kontrollin dhe është përplasur me një makinë tjetër me targa AA 654 DZ.Mësohet se nga aksidenti janë plagosur katër persona; 23-vjeçarja me iniciale F.Ç., 22-vjeçarja me iniciale S.H., 22-vjeçarja me iniciale Gj.Sh. dhe 23-vjeçari me iniciale S.B. Të gjithë të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetën.
Në vendngjarje shkuan forcat e policisë dhe të zjarrfikëses. Këto të fundit kanë ndërhyrë për të hapur dyert e automjetit pasi ishin bllokuar nga përplasja e fortë. Ndërkohë, grupi hetimor nisi punën për të zbardhur shkaqet e aksidentit. Rreth orës 08:00, aty shkoi edhe karroatreci për të marrë mjetin e dëmtuar. Ky aksident shkaktoi bllokim të trafikut, duke krijuar radhë të gjata të automjeteve.
Njoftimi i Policisë së Tiranës:
Me datë 13.12.2017, rreth orës 06:15, në Sallën Operative ka ardhur një telefonatë se në kryqëzimin e rrugës “Hoxha Tasim”, me rrugën ” Bardhyl”, ka ndodhur një aksident.
Menjëher në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë dhe Ambulanca ku nga veprimet paraprake ka rezultuar se:
Në kryqëzimin e rrugës “Hoxha Tasim” , me rrugën ” Bardhyl”, janë aksidentuar mjeti AA 561 LM me mjetin AA 654 DZ dhe si pasoje janë dëmtuar shtetasit F.Ç, 23 vjeçe, S.H., 22 vjeçe, Gj.Sh., 22 vjeçe dhe S.B., 23 vjeç, të cilët janë transportuar në spital jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor po kryen veprimet për zbardhjen e plotë të aksidentit./tvklan.al