Reshjet e shiut janë shtuar ndjeshëm, gjatë pasdites dhe mbrëmjes së sotme në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit. Në disa prej tyre janë krijuar edhe situata problematike.
Në qytetin e Durrësit për shkak të reshjeve intensive janë përmbytur sonte shumë rrugë. Rrjeti i kanalizimeve nuk ka mundur të përballojë sasinë e madhe të reshjeve dhe për pasojë niveli i ujit në rrugë është rritur dukshëm.
Kjo ka krijuar probleme në lëvizjen e këmbësorëve, por edhe në qarkullimin e automjeteve.
Gjendja më e vështirë ishte në hyrje të qytetit te Durësit, pranë rrethrrotullimit, në shëtitoren “Taulantia”, rrugën paralele me portin, por edhe në disa lagje të tjera.
Edhe në qytetin e Lezhës reshjet e shiut rriten nivelin e ujit në disa rrugë. Për pasojë levizja e këmbësorëve dhe e makinave u bë mjaft e vështirë. Deri tani nuk raportohet të ketë pasur përmbytje të kateve të ulëta të banesave, apo ndërprerje të energjisë elektrike. Por situata mbetet e vështirë sidomos gjatë natës./abcnews.al