Sipas asaj që raporton Bloomberg, topi i futbollit të cilin presidenti rus Vladimir Putin i dhuroi homologut amerikan gjatë konferencës së përbashkët për shtyp në Helsinki mund të përmbajë nëj mikroçip. Kaq ka mjaftuar që në Shtetet e Bashkuara të Amerikës të shpërthejnë polemikat përsa i përket masave të sigurisë.
Një top spiun në Shtëpinë e Bardhë. Është kjo tema e polemikave të fundit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës rreth dhuratës që Vladimir Putin i ka bërë Donald Trump gjatë konferencës së përbashkët për shtyp në Helsinki: topin zyrtar të Botërorit më Rusi.
Firma prodhuese, Adidas, ka prodhuar dhe një version hi-tech, i cili përmban në brendësi një mikroçip që mund të dialogojë dhe të dërgojë informacione në aparatet e celularëve, tablet apo dhe kompjuter personal. Lajmi është publikuar nga Bloomberg, me pamje që tregojnë topin Adidas që iu dhurua kreut të Shtëpisë së Bardhë me logon e kompanisë së komunikimeve Pranë Fushës. Topi i cili shitet online, më parë kushtonte 165 dollarë ndërsa tani 83.
Por kaq u desh që të përhapet sindroma e kalit të Trojës, thënë ndryshe, ideja që një objekt të cilin presidenti amerikan mund ta vendosë në një vend ku merren vendime të rëndësishme, të shërbejë si transmetues për rusët.
Dhe pse nuk ka të dhëna të qara, as Adidas nuk ka pranuar të komentojë, në Shtetet e bashkuara të Amerikës kanë shpërthyer polemikat përsa i përket sigurisë. Edhe për topin e futbollit ashtu si dhe për të gjitha dhuratat e shkëmbyera mes liderëve është ndjekur një protokoll kontrollesh, por nga Shtëpia e Bardhë nuk ka pasur asnjë konfirmim për praninë apo jo të një mikroçipi dhe as nëse topi do të qëndrojë në ambientet e presidencës amerikane./abcnews.al