Përgjimet e Vetëvendosjes/ Haziri: Qeveria Kurti e ka humbur legjitimitetin. Sheholli: Akoma nuk është parë asgjë

schedule16:36 - 10 Korrik, 2023

schedule 16:36 - 10 Korrik, 2023

Një tjetër skandal ka përfshirë qeverinë Kurti. Gazetari Berat Buzhala, njëkohësisht drejtuesi i medias “NACIONALE”, ka publikuar një dokument audio ku dëgjohet një bisedë telefonike mes shefes së grupit parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila me deputetin e Listës Serbe, Slavko Simiç.

Në përgjim flitet për disa takime dhe koordinimet që deputetja e partisë në pushtet i ka bërë në emër të qeverisë së Kosovës me Listën Serbe dhe kriminelin e sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Milan Radoiçiç, për disa nga çështjet politike në Kosovë.

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, në një intervistë me Skype për emisionin “Ballkan Update” se qeveria e Kosovës e ka humbur legjitimitetin dhe se ‘Kurti po mban krejt këtë proces politik të krizave dhe jo stabilitetit për arsye të brendshme dhe duke krijuar artificialisht situata të tilla.’

Ndërkohë, analisti Fatmir Sheholli tha se ajo që pritet të publikohet në ditët në vijim do të jetë edhe më e rëndë. Analisti shtoi se skandali i përgjimeve do ta ‘shpërfytyrojë’ totalisht Lëvizjen Vetëvendosje pasi nga njëra anë hedhin akuza ndaj Radoiçiç dhe nga ana tjetër komunikojnë me të.

“Ajo që ne mund të themi tani është se këto përgjime po shpërfytyrojmë totalisht LVV dhe veçanërisht protagonisten kryesore, zonjën Mimoza Kusari Lila e cila është koordinuar në formën më të poshtër dhe më të qelbur në kuptim të asaj që ka të bëjë me vlerën sublime të kombit në Kosovë dhe që janë veteranët e Luftës së Kosovës. Me fjalimet e saj, në të njëjtën kohë e quan kriminel dhe në të njëjtën kohë bisedon dhe koordinohet me grupin e Radoiçiç. Ne e patëm bërë publike para shumë kohësh se ka argumente të gjalla që do të dëshmojnë që LVV është munduar të na e shesë këtë populizëm. Kjo doli, do të dalë edhe në vazhdim.

Ka shumë gjëra që do të çuditet populli shqiptar i Kosovës. Të mos harrojmë që asnjë punë që është bërë në këto muhabete, nuk është e mundur të bëhen pa lejen e Albin Kurtit. Kjo VV i thoshte Ramush Haradinajt kur Radoiçiç nuk ishte në listën e zezë se jeni takuar me kriminel ndërsa tani e tregojnë fytyrën e vërtetë. Prokuroria duhet të marrë masa të menjëhershme sepse këta njerëz kanë denigruar këtë komb dhe shtet duke pohuar se njerëzit që janë takuar me Radoiçiç në një kohë të caktuar duhet të përgjigjen para gjykatave. Mimoza Kusari Lila nuk është e vetmja. Këto biseda do të tregojnë edhe afera energjitike në Kosovë.”, tha analisti./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!