Partia Demokratike do të bëjë publike të tjera përgjime ku përfshihen zyrtarë të mazhorancës me krimin. Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Grida Duma, deklaroi këtë të enjte se selia blu ka dijeni për të tjera fakte ku mazhoranca është bashkuar me krimin për të marrë pushtetin.
Për sa i përket zyrtarëve që janë të përfshirë në këto materiale, Duma tha se bëhen fjalë për funksionarë të lartë të qeverisë duke përfshirë edhe ministra.
“Unë besoj që pa asnjë diskutim do të ketë dhe duhet të ketë. Është e pamundur që maja e ajsbergut, ajo që dëgjuat ju te BILD-i të mbarojë aty. Pa asnjë diskutim që kjo është çështja. Pa diskutim që kemi dijeni për të tilla fakte. Për funksionarë të lartë. Pse jo edhe ministra. Ka indicie të tilla. Keni për të parë në ditët në vijim se politika është edhe art i parashikimit deri diku, ose së paku i lëvizjes së radhës. Unë besoj se do shikon që aty ku duket se Edi Rama i bën fli vetë, në fakt është duke fshehur diçka. Ne i parashohim se cilat janë lëvizjet e mazhorancës për të fshehur problematikën që ajo ka me bashkimin e krimit me pushtetin e shqiptarëve”, tha Duma gjatë një interviste në rubrikën “Mbrëmje ABC” përballë gazetares Mirela Milori./abcnews.al