Ka përfunduar takimi mes Kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe delegacionit të Komisionit të Venecias në selinë blu.
Në përfundim të takimit kreu i PD Lulzim Basha pati edhe një prononcim për mediat. Basha tha se takimi me delegacionin e Komisionit të Venecias ishte tepër i frytshëm.
Juxhin Mustafaraj për ABC News: Z. Basha, si shkoi takimi me Delegacionin e Venecias?
“Takimi me komisionin ishte shumë i frytshëm. Vendi është në krizë të thellë, ilustrimi më i mirë janë lëvizjet e çoroditura të një pushteti që nuk pret për opinionin e Venecias, por forcon kapjen e shtetit, drejtësisë, Kushtetutës.
Oligarkët bashkë me qeverinë kanë kapur zgjedhjet, kjo nuk është demokraci, ky nuk është shteti ligjor. Qeveria do të mbrojë krimet e veta. Qeveria ka kapur gjithçka.
Një qeveri që ka dalë nga dosjet 184 është peng i oligarkëve. Zgjidhja që ne kërkojmë nuk e kërkojmë për veten tonë, ne sakrifikuam gjithçka për shqiptarët.
Nëse pala tjetër do të vendosë para shqiptarëve, interesat e pushtetit të vet, opozita bashkë me qytetarët do të marrë pozitat në dorë për t’u përballur me këtë grusht pushtetarësh”, tha Basha.
Çështja e emërimeve në Gjykatën Kushtetuese ka qenë në qendër të takimit që ka zhvilluar Delegacioni i Venecias me përfaqësuesit e opozitës jashtëparlamentare./abcnews.al