Përfundon protesta e opozitës, bllokohen akset kryesore të vendit (Video)

schedule19:05 - 25 Prill, 2019

schedule 19:05 - 25 Prill, 2019

Edhe e enjtja e 25 prillit e gjeti opozitën në rrugë, këtë radhë në kuptimin e parë të fjalës. Protestën e organizuan në formën e bllokimit të rrugëve.

Të pozicionuar në 5 akse kryesore të Shqipërisë, opozita e bashkuar bllokoi rrethrrotullimin në Bradashesh në Elbasan, autostradën Plepa- Kavajë në Durrës, Rrethrrotullimin e Sheqit në Fier, autostradën në Milot si dhe rrethrrotullimin “Shqiponja” në Tiranë.

60 minuta zgjati protesta, e 10-ta në radhë. Kreu i demokratëve zgjodhi Milotin për të protestuar dhe ndarë mesazhin e tij.

“Në 30 Qershor nuk ka për të pasur zgjedhje në Shqipëri. Nuk ka zgjedhje pa opozitën. Opozita as nuk klonohet as nuk shpiket dhe as nuk krijohet siç krijohen shërbëtorët dhe mercenarët e Ramës. Ka vetëm një opozitë ajo jemi ne e bashkuar me popullin e bashkuar me njerëzit. Në asnjë qendër votimi nuk do të lejojmë krimin elektoral të përsëritet. Është misioni ynë… të luftojmë sy për sy e dhëmb për dhëmb për votën e lirë për liri”, tha Basha.

Ish- deputetët u ndanë sipas zonave ku janë zgjedhur.

Për numrin dy të demorkatëve, Edi Paloka, i ndodhur në Tiranë, ky është vetëm fillimi i mosbindjes civile.

“Është vetëm hapi i parë i përshkallëzimit. Edhe të enjten tjetër nëse do të vazhdohet me këtë arroganbcë të qeverisë, së kryeministrit që bën indiferentin edhe reagimi ynë do të jetë asgjë më tepër se sa në përputhje me atë që kërkojnë qytetarët. Me revoltën, me urrejtjen që sot shihet te çdo qytetar shqiptar ndaj kësaj qeverie. Sa më parë të tërhiqen ata, aq më mirë do jetë jo vetëm për ta, por besoj për çdo qytetar shqiptar. Asnjë nga ne nuk do që të shkojë në një pikë pa kthim”, tha Paloka.

Tek sheshi Shqiponja nuk munguan tensionet.

Në Elbasan, protestues të ndryshëm morën fjalën për të treguar arsyet përse protestojnë. Fermerë, biznesmenë të vegjël, studentë dhe qytetarë të thjeshtë dhe emigrantë.

Protestat u zhvilluan kryesisht pa incidente apo përplasje. Në Fier policia, mori masa për zhbllokimin e lëvizjes së automjeteve, duke imponuar një lëvizje brenda lagjeve.

Në Durrës, qytetarët shoqëruan nga Sekretari i Përgjithshëm i demokratëve Gazment Bardhi, ish-deputetë të zonës dhe aleatë të këtij qarku. Protesta e radhës kombëtare e njoftuar nga opozita pritet pasditen e 11 Majit në orën 18:30./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!