Përfundon mbledhja e aleatëve, Kryemadhi: Nuk ka integrim pa zgjedhje të lira

schedule19:12 - 21 Tetor, 2019

schedule 19:12 - 21 Tetor, 2019

Aleatët opozitarë u mblodhën këtë të hënë në selinë blu. Në dalje nga takimi, foli kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi. Ajo tha se pa zgjedhje të lira nuk ka integrim. Ajo theksoi se fronti opozitar do që të zgjidhet kriza.

“Jemi shumë të qartë në aksionin e vazhdueshëm opozitar dhe qartësojmë çdo ditë e më shumë axhendën e frontit opozitar. Tashmë axhenda jonë nuk është më një axhendë thjesht politike, por është një axhendë që ka të bëjë me integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Vendim më dëshpërues se ç’ka qenë javës së kaluar për hapjen e negociatave për shqiptarët për hir të së vërtetës por edhe për gjithë partnerët tanë strategjikë, duke filluar që nga SHBA, të cilët për hir të së vërtetës kanë qenë partnerët tanë strategjikë të cilët i kanë qëndruar gjithnjë në momentet më të vështira dhe më të dëshpëruara Shqipërisë pranë. Na motivon akoma më shumë si tryezë e frontit opozitar për të pasur një axhendë shumë të qartë ku 9 kushtet e Bundestagut gjerman janë axhenda më e qartë dhe më e kthjellët për klasën politike shqiptare. Ajo që është akoma dhe më e rëndësishme është që ne duhet tu themi shqiptarëve të vërtetën. Ne jemi të bindur që mënyra për të paraqitur hapat e opozitës është shumë e qartë. Protestat janë një nga ato. Mos u çudisni, ka për të pasur protesta. Protestat nuk janë me axhendë. Protestat janë më organizim, ne kemi axhendë, integrimin e Shqipërisë në BE”, tha Kryemadhi.

Aleatët opozitarë zhvilluan një mbledhje këtë të hënë. Takimi u mbajt në selinë e Partisë Demokratike. Prezentë në mbledhje ishin Lulzim Basha, kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, kreu i PR-së, Fatmir Mediu, ai i PAA-së, Agron Duka, kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi dhe kreu i PDK-së, Nard Ndoka.

Gazetarja Esiona Konomi, zbuloi më herët se ishin të paktën dy teza që do të diskutonin krerët e partive opozitare. Fillimisht bëhet fjalë për strategjinë që do të ndjekë opozita pas vendimit që mori Brukseli kundër çeljes së negociatave.

Së dyti, pritej një diskutim për një dokument që po harton PD-për reformën zgjedhore. Edhe pse nuk merr pjesë në Komisionin e Posaçëm të Reformës Zgjedhore, ekspertë të PD-së po punojnë për një dokument, i cili do të diskutohet me aleatët.

Lulzim Basha sot më herët, ka dhënë edhe një konferencë për shtyp, ku ka kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Rama, pas dështimit me hapjen e negociatave për anëtarësim në BE, të Shqipërisë dhe Maqedonisë më 18 tetor.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!