Përfaqësuesit e televizioneve bashkë për projektligjin e mediave audiovizive

schedule15:52 - 11 Qershor, 2018

schedule 15:52 - 11 Qershor, 2018

Projektligji i ri për mediat audiovizive pritet të rrisë pavarësinë ekonomike dhe editoriale të televizioneve në Shqipëri. Drafti u diskutua mes grupeve të interesit dhe kryetarit të Autoritetit të Mediave Audiovizive.

Përfaqësuesit e televizioneve kombëtare dhe informative u bënë bashkë tek Autoriteti i Mediave Audiovizive për të diskutuar rreth projektligjit për mediat audiovizive, i cili mundëson krijimin e fondit të transmetimeve.

Drafti parashikon që një pjesë të tarifës për përdorimin e aparateve t’u kalojë edhe televizioneve jopublike. Ndërkohë nuk preket, por përkundrazi shtohet fondi edhe për Televizonin Publik Shqiptar.

Projektligji synon edhe përmirësimin e pavarësisë së mediave në Shqipëri në kushtet e rritjes së kostove për shkak të ndryshimit të teknologjisë së prodhimit dhe transmetimit.

Aleksandër Frangaj: “Publiku shqiptar paguan tarifën për përdorimin e aparatit, tarifa shkon për televizioni publik ose shtetëror se publik nuk ka qenë ndonjëherë . E ndërkohë publiku që paguan për televizionin shtetëror çdo natë e çdo ditë sheh televizionet private. Pas fikjes së transmetimeve analoge në disa nga qarqet e Shqipërisë si Berat, Korçë dhe Fier, përqindja  e popullsisë që ka marrë aparat për të ndjekur transmetimet dixhitale është jashtëzakonisht e ulët, as 5 përqind. Parashikohet në këtë ligj që nëpërmjet tarifës së përdorimit të aparatit televiziv, një përqindje e saj të shkojë për pajisjen me dekodera falas për  të gjithë qytetarët e këtij vendi”.

Rritja e pavarësisë ekonomike të televizioneve, sipas drejtuesve të tyre shkon paralel me atë editoriale.

Ben Blushi: “Ky ligj rrit pavarësinë televizioneve private nga çdolloj qeverie. Se qeveria sipas ligjit nuk do ketë diskrecion për mënyrën e ndarjes së fondit”.

Me ndryshimet në ligjin për mediat audiovizive pritet të marrë fund faza kritike ku ndodhet informacioni.

Carlo Bollino: “Brenda ligjit është parashikuar një mbrojtje e veçantë për teleshikuesit që janë dëmtuar nga lajmet false që detyron median për ta përgenjështruar, për ta rregulluar krijimin e një bordi etike”.

Zgjidhje, sipas Kreut të Autoritetit të Mediave Audiovizive, pritet të marrë gjithashtu edhe çështja e reklamave dhe ajo e gazetarëve.

Gentian Sala: “Televizionet mundohen që të kalojnë atë afatin 12 minutësh të reklamave, televizionet informative të shfrytëzojnë në maksimum hapësirat që kanë për reklamat shpesh në kundërshtim me ligjin. Unë mendoj që ky draft do ndihmojë që kjo periudhë tranzitore do kalojë”.

Drafti që parashikon t’i japë fund fazës tranzitore, ku ndodhet televizioni në Shqipëri kërkon konsensusin e opozitës dhe mazhorancës në parlament.

Aleksandër Frangaj: “Urojmë ta gjejmë këtë radhë, meqë është e kundërta. Opozitë është partia që e propozoi në 2012-n dhe mazhorancë është ata që e refuzuan”.

Në vitin 2012, kur projektligj u dërgua në seancë plenare, konsensusi mes mazhorancës së djathtë dhe opozitës së majtë mungoi./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!