Britania ishte një nga vendet e para që furnizoi me armë Ukrainën, duke dërguar fillimisht raketat antitank. Tani Mbretëria e Bashkuar po dërgon në vend më shumë armatime të rënda – duke përfshirë sistemet e artilerisë, sipas BBC.
Britania ka qenë në krye të vendeve që kanë dërguar më shumë armë në Ukrainë dhe Ukraina nga ana tjetër i ka shprehur mirënjohjen Britanisë së Madhe për ndihmën. Por pretendimi i Boris Johnson se “armët, pajisjet dhe trajnimi i Mbretërisë së Bashkuar po transformojnë mbrojtjen e Ukrainës” është ende i guximshëm.
SHBA po shpenzon shumë më tepër – gati gjysma e 40 miliardë dollarëve që po i jep Ukrainës janë për mbështetje ushtarake. Disa vende më të vogla, si Estonia, kanë shpenzuar një pjesë më të madhe të të ardhurave të tyre për armatosjen e Ukrainës.
Dhe Ukraina ende thotë se nuk po mjafton. Zëvendësministri i mbrojtjes së fundmi pretendoi se kishte marrë vetëm një të dhjetën e armëve që i kërkoheshin. Për shembull, Ukraina thotë se i duhen qindra raketahedhës të shumëfishtë.
SHBA, Britania e Madhe dhe Gjermania kanë premtuar deri më tani të dërgojnë rreth një duzinë. Këto armë janë shumë më të avancuara. Por ushtria e Ukrainës ende varet nga armatimet e vjetra të epokës sovjetike.
Ndërkohë nga ana tjetër dërgimi i armëve perëndimore ka qenë i ngadalshëm dhe në rritje. Britanisë i është dashur gjithashtu të sigurojë disa nga armët që po dërgon në Ukrainë nga vendet e treta – një shenjë se furnizimet janë drejt fundit.
/abcnews.al