Në emisionin “War Report” në ABC News koloneli Çlirim Toci foli për zhvillimet globale, konfliktet dhe marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Europës.
Gjatë intervistës, ai tha se bota ka përjetuar një sërë ngjarjesh dhe zhvillimesh sidomos në çështjet e sigurisë.
Më tej ai tha se mbështetja e SHBA për Europën është e vazhdueshme, por megjithatë nënvizoi se Europa duhet të marrë rolin që i takon.
“Bota ka përjetuar një sërë ngjarjesh të mëdha sidomos në çështje të sigurisë. Tani duket se nuk kemi më një botë që është ndërtuar në binarët e asaj që ne e njohim si diplomaci klasike, por kemi një botë ku shohim se vendet përdorin, presionin apo edhe dhunën për të arritur qëllimet e tyre. Sot bota ka ndryshuar dhe për këtë duhet të përgatitemi. Duhet të mendojnë më shumë të bëhen më të fuqishme jo vetëm politikisht, por edhe ekonomikisht.”, u shpreh ai, duke shtuar: “Europa duhet të investojë në industri. Në rast të një situatë krize, nuk do jenë në gjendje të mbështesin njëra tjetër për arsye të sistemeve të ndryshme. Kjo ka detyruar SHBA që të vërë përpara përgjegjësive vendet Europiane. Pra duhet të merren edhe me politikën e tyre të brendshme”.
Nga ana e tij Xhavit Shala profesor i shkencave të Sigurisë tha se raporti për Konferencën në Mynih, ishte sipas tij një autopsi e gjendjes së sotme e rendit global. Më tej ai shtoi se Europa i ka marrë mesazhet nga SHBA se “Europa tashmë duhet të mbrojë veten”.
“Raporti për Konferencën e Mynih është një autopsi e gjendjes së sotme të rendit global në të cilën ndodhemi. Pra rendi botëror zakonisht synohet të lëvizë apo të ndryshojë avash avash dhe kjo është një kontribut i shumë aktorëve. Por ardhja e presidentit Trump e përshpejtojë dhe me deklaratat e tij ai tha se Amerika do luftojë me të gjitha mjetet që SHBA të jenë shteti me i fuqishëm ekonomikisht dhe ushtarakisht. Europa tashmë i mori të gjitha mesazhet, ju duhet të mbroni veten dhe nëse doni t’ju mbrojmë duhet të paguani. Unë mendoj që SHBA-të nuk kanë gjë me Europën, vende të veçanta, por me Europën si strukturë”, tha ai./abcnews.al/


