Përcillet për në banesën e fundit kineasti i shquar, Gjergj Xhuvani

schedule15:24 - 20 Gusht, 2019

schedule 15:24 - 20 Gusht, 2019

Kineasti i shquar Gjergj Xhuvani është përcjellë për në banesën e fundit mes lotësh dhe heshtjes. Familjarët kanë zgjedhur që ceremoninë e lamtumirës për njeriun e tyre të dashur, ta bëjnë private.

Të pranishëm ishin familjarë, të afërm, miq dhe studentë të regjisorit.

Regjisori Gjergj Xhuvani la pas filma të rëndësishëm të kinematografisë shqiptare, si “Parrullat”, me të cilin ishte i pari kineast shqiptar që mundi të çojë Shqipërinë në Kanë, në vitin 2001.

Ai u nda nga jeta në moshën 56-vjeçare më 14 Gusht  në Romë, pas një arresti kardiak që ka pësuar teksa po realizonte montazhin e filmit të tij të fundit, “Liqeni im”.

Miku i tij i ngushtë, regjisori Besnik Bisha në një prononcim për Abc News e cilëson një ditë të trishtë përcjelljen për në banesën e fundit te regjisorit Gjergj Xhuvani.

“Nga ditët më të zeza të jetës sime. Erdhi një moshë, po largohen miqtë, shokët. E trishtueshme. Me Gjergjin kemi filluar një karrierë shumë të përbashkët që asistentë të. Kemi filluar njëkohësisht të bëjmë filma. Kemi qenë pedagogë që ditën e parë në Universitetin e Arteve dhe deri para një muaji që ka qenë kontakti i fundit. Jetë plot kujtime, plot të mira dhe të këqija. Është një ditë e trishtueshme besoj jo vetëm për mua, por për të gjithë miqtë e tij. Një ditë e trishtueshme edhe për të gjithë artdashësit. Gjergji ka qenë një krijues i vrullshëm, me një aktivitet filmik të vrullshëm”, tha Bisha./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!