Përballje “yjesh” në “Volksparkstadion”, Mbappe e Cristiano Ronaldo përplasen për një “biletë” gjysmëfinaleje

schedule13:40 - 5 Korrik, 2024

schedule 13:40 - 5 Korrik, 2024

Ishte dhe mbetet mes favoritëve kryesorë të Euro 2024, megjithëse deri tani nuk i ka shpërblyer aspak këto pritshmëri.

“Gjelat” francezë kanë mundësinë e artë për të treguar veten në çerekfinalen e turneut, me djemtë e Didier Deschamps, që do të zbresin në stadiumin e Hamburgut, “Volksparkstadion”, në orën 21:00 për të sfiduar Portugalinë, në një ndeshje që shumë mirë mund të ishte edhe një finale e në fakt, nuk është e largët koha, kur Franca dhe Portugalia diskutuan trofeun në vitin 2016, ku asokohe “Luzitanët” fitonin trofeun e parë madhor, të Portugalisë.

Të gjithë sytë janë të drejtuar te “yjet” e dy skuadrave, Kylian Mbappe dhe Cristiano Ronaldo, që duhet thënë se në katër ndeshjet e para, në grup dhe fazën e 1/16-ve ishin shumë larg emrit të tyre të madh.

Sulmuesi francez, i detyruar të luajë më maskë, pas dëmtimit në hundë ka shënuar vetëm një gol me 11-metërsh dhe tanimi ka mundësin që Mbappe të kthehet sërish “Mbappe” e këtë pret dhe tekniku Deschamps, e përveç kësaj kërkon një “hakmarrje” për finalen e humbur tetë viteve më parë.

“Portugalia është e rrezikshme dhe Cristiano Ronaldo është gjithnjë një kërcënim. Ka kapacitetin për të shënuar dhe për të qenë agresiv. Portugalia mbetet një kundërshtar i fortë. Nuk e di nëse janë më të fortë nga 2016 apo jo, di që për ne ajo finale ishte e dhimbshme. Jemi në çerekfinale dhe këtu janë më të mirët, unë e di se çfarë i pëlqen të bëjë Roberto Martinez dhe do të tentojmë të jemi ne në kontroll të ndeshjes”,- u shpreh “numri 1” i pankinës së “Gjelave”.

Edhe portugezët presin rikthimin e Cristiano Ronaldo dhe golin e parë të tij në këtë Evropian, me “yllin” e “Luzitanëve”, që u përball me kritika pas kualifikimit të vështirë në ndeshjen e fundit me Slloveninë e për këtë arsye, sfida e sotme mund t’i shërbejë atij edhe për një revansh personal.

“Mendoj se ne jemi totalisht gati për ndeshjen me Francën. Ne jemi kritikë me vetveten dhe kërkojmë të përmirësohemi gjithnjë, por nuk është e thënë që të ndryshojmë gjithçka nga ndeshja në ndeshje. Në këtë Evropian, ndeshjet janë shumë të forta dhe është e vështirë që të shënosh golin e parë. Po bëjmë shumë mirë dhe duhet të vazhdojmë në këtë rrugë, e rëndësishme është që të jemi në zotërimin e topit si dhe ta qarkullojmë atë në sa më shumë lojtarë të jetë e mundur”,- u shpreh tekniku Martinez një ditë para sfidës.

Portugalia vjen në çerekfinalen e Euro 2024 pa asnjë mungesë, megjithëse Roberto Martinez pritet të bëjë disa ndryshime në formacion. I njëti dikutim vlen edhe për Deschamps, i detyruar edhe nga mungesa e rëndësishme e Rabiot, i pezulluar për shkak të kartonëve. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!