Përballja me Spanjën/ Rama motivon kuqezinjtë: Kombëtarja jonë e re do të dalë me kokën lart!

schedule10:32 - 24 Qershor, 2024

schedule 10:32 - 24 Qershor, 2024

TIRANË- Në prag të sfidës për “jetë a vdekje’ të Kombëtares së Shqipërisë kundër Spanjës për të vijuar më tej në Euro 2024, ka reaguar kryeministri Edi Rama.

Ai thotë se cilidoqoftë rezultati me Spanjën, “Kombëtarja jonë e re do të dalë me kokën lart e me një eksperiencë shumë të çmuar në nivelet më të larta sportive”.

Shefi i qeverisë thekson se përballje të tilla, të niveleve kaq të larta, do të motivojë ekipin e kombëtares, që në të ardhmen të dëshmojë profesionalizëm dhe paraqitje dinjitoze, pavarësisht kundërshtarëve të saj.

Më tej, Rama nënvizon se pavarësisht se përballemi me Spanjën,“Topi është i rrumbullakët” dhe gjithçka mund të ndodhë.

Reagimi i kryeministrit: 

FORCA SHQIPE

Askush nuk do ta besonte me mendje – me zemër tjetër punë – që në ndeshjen e tretë të grupit në EURO2024, Shqipëria do të ishte ende në lojë e që ndërkohë do të ishte e treta, jo e fundit në atë që është quajtur botërisht si “grupi i vdekjes”

Eksperienca shumë më e madhe e rivalëve në dy ndeshjet e para bëri të sajën kundër nesh, se përndryshe pozicioni ynë sot mund të kishte qenë edhe më i favorshëm. Po ky është futbolli dhe çdo pishman i sotëm është eksperiencë për të nesërmen

Sot përballemi me skuadrën më të frikshme të grupit në një mision që në letër është 100% i pamundur. Por topi është i rrumbullakët dhe në darkë të 12 lojtarët kuqezinj, ata në fushë dhe lojtari ynë i 12-të në shkallët e stadiumit, një ndër më fantastikët e këtij Europiani, nuk kanë absolutisht asgjë për të humbur, po vetëm duhet të luajnë e ta shijojnë deri në fund këtë moment magjik që kanë krijuar vetë

Cilidoqoftë rezultati i ndeshjes me Spanjën, Kombëtarja jonë e re do të dalë me kokën lart e me një eksperiencë shumë të çmuar në nivelet më të larta sportive, e cila do t’i shërbejë që të rritet, të fitojë besimin dhe personalitetin e domosdoshëm për t’u përballur me sukses në sfidat e këtyre niveleve, duke na dhuruar të tjera kënaqësi të veçanta si kjo e EUR2024-ës