“Për të mos rritur çmimin,” Rama: Nuk do të ketë më bileta letre për transportin urban

schedule12:17 - 6 Maj, 2022

schedule 12:17 - 6 Maj, 2022

Biletat për linjat e transportit urban nuk do të jenë më në format letre, por do mund të aksesohen online. Lajmin e bën të ditur kryeministri Edi Rama në një takim me drejtuesit e bankave tregtare në vend, në kryeministri.

Sipas kreut të qeverisë heqja e letrës është e nevojshme që të evitohet rritja e çmimit të biletës për qytetarët.

“Ky i transportit urban është shembulli më urgjent, Nuk ndodh që ne të pranojmë që të rritet çmimi i biletës së qytetarëve për shkakun tuaj. Gjithë ky revolucion nuk mund të ndalojë e t’u presë juve. Të bëheni shembull, duke bërë secili pjesën e vet,” u tha Rama drejtuesve të pranishëm në mbledhje.

Po ashtu, Rama kujtoi edhe një herë që po punohet për sjelljen e një sistemi të Inteligjencës Artificiale, që do të jetë një lloj asistenti virtual si Siri, për pajisjet Apple. Ky asistent, që pritet të jetë gati për dy vite, sipas kryeministrit do të ndihmojë qytetarët me zë që të marrin shërbime në e-albania.”

“Po punojmë për një sistem të inteligjencës artificiale në dhënien e shërbimeve që do të rezultojë, të bëhet realitet brenda dy viteve, një shërbim si Siri në e-albania. Çdo qytetar do të ndihmohet me zë derisa të mbarojë punë. Një inovacion i madh, por jo diçka që na tremb. Falë drejtores së AKSHI-t mund ta bëjmë. Pa AKSHI-n nuk do i kishim bërë dot këto përparime shumë të mëdha. Edhe ju do merrni konsulencë dhe s’do paguani.” /abcnews.al/