Për herë të parë pa Produkt 28, Albani dhe Lore tregojnë si lindi bashkëpunimi për “Festivalin e Këngës”

schedule10:25 - 8 Dhjetor, 2022

schedule 10:25 - 8 Dhjetor, 2022

Alban Kondi dhe Lore kanë bashkuar forcat dhe po konkurojnë së bashku në “Festivalin e Këngës”. Për Albanin kjo është  hera e parë që merr pjesë në një festival vetëm, pa Produkt 28. Lidhur me këtë ai ka shprehur të gjitha emocionet në një intervistë për “ABC e Mëngjesit”.

Ndërsa, Lore tregoi si lindi bashkëpunimi dhe pse zgjodhi Albanin si menaxherin e saj artistik.

“Si performues për mua është hera e parë pa grupin Produkt 28. Me grupin kemi qenë vetëm një herë në Festival në vitin 2008. Në këtë rast ishte ftesa ime që i bëra Lorelës. Unë jam duke bërë një album dhe kam shumë bashkëpunime të jashtme. Edhe ftova edhe Lorelën. Këtu nisi fillimisht.

Që kur e kam takuar për herë të parë Lorelën në studio më ka pëlqyer ngjyra e zërit, ishte tembrike. Pastaj avash avash kuptova që kishte krijimtarinë se shkruan shumë mirë”, u shpreh Albani.

Emocioni është shumë i madh. Me orkestrën ndjehet gjithmonë presioni i skenës. Edhe ne sikur na hyri më shumë në qef tani që po bëjmë provat bashkëm me orkestrën. Siç tha edhe Albani nuk ishte planifikuar për festival. Nuk është një baladë tipike pasi tema është e veçantë.

Ne kemi shumë vite që njihemi dhe bashkëpunojmë. Edhe unë e kam konsideruar një person ekstrem, adapt për të nxjerrë më të mirën time. Mendoj se është artisti i duhur që mund të nxjerr maksimumin tim pa më bërë të dalë nga vetja”, tha Loren./abcnews.al