Pengjet e Van Gaal: Doja Lewandowskin dhe Neymar, s’e kuptova pse United dështoi

schedule10:39 - 30 Prill, 2021

schedule 10:39 - 30 Prill, 2021

Louis Van Gaal drejtoi Manchester United në periudhën korrik 2014-maj 2016. Vetëm një FA Cup fitoi ish-trajneri i njohur me “Djajtë e Kuq”, teksa pengu i madh mbetet merkato e varfër. Shumë emra të mëdhenj u kërkuan, por asnjëri prej tyre nuk zbarkoi në “Old Trafford”.

Në prononcimin e dhënë për FourFourTwo, 69-vjeçari nga Amsterdami zbulon dëshirat e mëdha që kishte, por drejtuesit e klubit u treguan të paaftë dhe nuk ia dolën t’i dhuronin asnjë nga lojtarët që donte trajneri.

Doja të blija Lewandowskin. Pasi e pashë që ishte shumë e vështirë për t’ia marrë Bayernit, tentova të transferoj Gonzalo Higuain. Përpara se të merrja drejtimin e United, diskutuam me drejtuesit edhe në lidhje me mundësinë e blerjes së Neymar.

 

Louis Van Gaal

Një opsion interesant edhe në lidhje me numrin e madh të fanellave që do të shiste. Në krahë doja lojtarë të shpejtë, kështu që tentuam Sadio Mane dhe Riyad Mahrez. Edhe Thomas Muller ishte pjesë e listës së dëshirave, ndërsa në mesfushë doja Ngolo Kante.

Mbrojtja? Doja Sergio Ramos dhe Matts Hummels, pasi nuk ishim të fortë në këtë repart. Këta ishin objektivat e mi, por nuk ia dolëm të merrnim asnjërin prej tyre. Nuk e kuptova kurrë pse ndodhi kështu.

Pasi u largova unë, lojtarë si Mahrez dhe Kante përfunduan te Manchester City dhe Chelsea. Drejtuesit e United nuk ishin kurrë në gjendje t’i blinin këta lojtarë. Më duket shumë e çuditshme“, përfundoi “gjenerali” holandez. /abcnews.al