“Pendohesha për refuzimin e Boluspor”, Hoxhaj: Gjoba? Ndoshta se drejtuesit janë pa përvojë

schedule10:35 - 22 Mars, 2021

schedule 10:35 - 22 Mars, 2021

Ardit Hoxhaj u kthye te goli dje ndaj Kastriotit dhe Vllaznia te fitorja. Sulmuesi foli dje në “Zona Gol” në “Supersport” dhe tregoi për dilemat e ofertës turke, krizën, festën te goli dhe gjobën e vendosur nga drejtuesit pas rezultateve të dobëta.

GOLI – “Më kishte munguar shumë goli. Jam shumë i lumtur që erdhi në fund, sepse duket sikur shijon më shumë, por më tepër jam i lumtur për fitoren e ekipit.”

FESTA TE GOLI – “Ne festuam sepse kishim kohë që ishim përfshirë nga një valë jo e mirë rezultatesh. Festa jonë nuk kishte lidhje fare me Kastriotin, as nuk ishte ndonjë hakmarrje për barazimin e fazës se dytë, edhe ata festuan kur barazuan dhe askush nga ne nuk u ankua.”

KRIZA – “Ka qenë një periudhë e vështirë. As nuk po e kuptonim se çfarë po ndodhte, prodhonim raste dhe nuk fitonim dot. U duk se edhe entuziazmi i fillimit erdhi duke u zbehur. Shpresoj ta kemi hedhur pas krahëve.”

GJOBAT – “Nuk i kuptova gjobat. Kjo vjen ndoshta ngaqë drejtuesit janë të rinj, pa shumë përvojë, por nuk e kuptova se si mund të merrnim gjobë kur ishim dy pikë nga vendi i parë.”

OFERTA E BOLUSPOR – “Të them të drejtën, kishte momente kur përfshihesha në dilema dhe thosha: mos bëra gabim qe nuk e pranova ofertën nga Turqia?

Por tani them se kam bërë mirë, sepse besoj se kjo Vllazni mund të bëjë gjëra të mëdha dhe me gjëra të mëdha nuk nënkuptoj vetëm titullin, por edhe një vend në Europë, duke parë se nga e nisëm”, u shpreh Hoxhaj. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!