Penalltia e fundit për Mario Bytyçin, i thotë “stop” futbollit të luajtur

schedule09:48 - 1 Shkurt, 2020

schedule 09:48 - 1 Shkurt, 2020

Më shumë se 15 vite karrierë dhe tani vjen momenti për ta mbyllur me futbollin. Mario Bytyçi ka menduar të thotë “stop”. Portieri që këtë muaj mbush 35 vjeç ishte pjesë e Burrelit në pjesën e parë të këtij sezoni, ndërkohë që numëron eksperienca të mëparshme me klube si Besa, Tomori, Skrapari, Pogradeci, Kamza, Butrinti, Mamurrasi, Erzeni dhe Bylisi.

Bytyçi, edhe pse portier, do të mbahet mend edhe për faktin që është një nga ata që ka shënuar më së shumti gola në rolin e tij. Penalltitë i ka pasur specialitet dhe një vit më parë me Bylisin realizoi 4 herë. Tani që nuk do të jetë në fushë,  normalisht po mendon që të vijojë karrierën në fushën e trajningut.

Sigurisht që Bytyçi ka edhe diçka për të thënë pas vendimit të marrë. Në rrjetet sociale ai shkruan: “Këtu e fillova këtë profesion, me zemër, me sakrifica të mëdha, me shumë mund dhe djersë, me ëndrra të mëdha dhe me sa kisha mundësi i realizova. Sot po i jap fund futbollit të luajtur, 17 vjet të mbushura me shumë gëzime dhe pak fare hidhërime. Jam krenar me veten time.

Me futbollin do jetoj, sepse është një dashuri e madhe. Një faleminderit shkon për të gjithë ato djem që kanë punuar me mua, trajnerë e drejtorë, shefa klubesh, presidentë dhe mbi të gjitha për ata tifozë që kanë brohoritur emrin tim në stadiume. Faleminderit të gjithëve. Me respekt dhe mirënjohje, Mario Bytyçi”. /abcnews.al

 

Postimi i Mario Bytyçit

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!