Peleshi: Eksportet, domosdoshmëri për rritjen e fermerëve

schedule17:32 - 16 Mars, 2018

schedule 17:32 - 16 Mars, 2018

Nëse Shqipëria nuk arrin dot të hapë eksportet drejt vendeve të Bashkimit Evropian, kjo industri nuk mund të rritet. Apelin ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Niko Peleshi, e bëri gjatë inspektimit të një stabilimenti të përpunimit të qumështit dhe nënprodukteve të tij në Gjirokastër.

Ka ardhur koha që i gjithë tregu të hyjë në një regjim dhe disiplinim, sipas standardeve evropiane.
Për këtë arsye sfida që ka ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Niko Peleshi, është ndërtimi i një sistemi funksional të certefikuar nga audituesit e Bashkimit Europian.

Niko Peleshi: “Dua ta ritheksoj, në qoftë se, Shqipëria nuk arrin dot të hapë eksportet drejt vendeve të Bashkimit Europian, kjo industri nuk mund të rritet. Fermeri shqiptar nuk mund të rritet sado subvencione t`i japim ne, sepse pa patur të garantuar shitjen, nuk investon për të rritur tufën e vet, bagëtinë e vet”.

Për ministrin Peleshi, gjithë politika që po ndiqet do të çojë në garantimin e një tregu të konsoliduar dhe të hapje e sigurtë drejt Bashkimit Europian.

Niko Peleshi: “Në tregun shqiptar do të ketë vetem prodhime që garantojnë siguri ushqimore, që garantojnë respektim të gjitha standardeve, sepse vetëm në këtë mënyrë edhe Bashkimi Europian do të na njohë sistemin tonë të ngritur të sigurisë ushqimore. Do të na hapë dyert për eksport dhe kjo industri do të zhvillohet”.

Ministri Peleshi ka theksuar masat dhe mbështetjen financiare që qeveria shqiptare ka përgatitur me skemën e mbështetjes financiare për zhvillimin rural dhe agropërpunimin, dhe për këtë sektor në veçanti. Aplikimet për subvencionime, grante dhe mbështetje financiare kanë nisur të kryhen në çdo prej agropikave me 28 Shkurt dhe do të zgjasin një muaj./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!