Peleshi: Arsyet përse u përmbytëm më pak! Ekonomi: 3.9 miliard lekë për situatat emergjente

schedule12:28 - 15 Janar, 2021

schedule 12:28 - 15 Janar, 2021

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, në konferencën e sotme tha se përmbytjet janë pasojë e fenomeneve natyrore, ndërsa shtoi se pavarësisht se në të kaluarën reshjet kanë qenë nivel më të lartë, këtë vit  menaxhimi është më pozitiv.

“Intensiteti më i madh ka qenë në dy qarqet e veriut, Shkodër dhe Lezhë. Tashmë ka filluar një filozofi e re për të reaguar në rastet e emergjencave civile. Këtë vit kemi dy herë më shumë sasi reshjesh”, tha Peleshi.

Gjithashtu ai theksoi se dëmet këtë vit kanë qenë në nivele më të ulëta në krahasim me dëmet e shkaktuara nga përmbytjet në vitin 2010.

Po ashtu ai shtoi se faktorët që ndikuan në këtë pasqyrë pozitive për mirëmenaxhimin e përmbytjeve janë investimet në programet e ujitjes, kullimit të cilat sipas tij janë rritur në disa fish, krahasuar me të kaluarën.

“Duhet të them se të gjitha kanalet sekondare i kanë kaluar Bashkive në mirëmenaxhim. Janë rritur fondet, kapacitetet duke shumëfishuar forcat për të pasur këtë menaxhim që është i pakrahasueshëm me të shkuarën”, tha Peleshi.

Ndërkohë kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij përmendi gjithashtu investimet që janë bërë në sektorin e kullimit duke shtuar se sipas tij kanë dhënë rezultatet e para.

Teksa e konsideroi situatën kritike nga liqeni i Shkodrës deri poshtë në Vjosë, Rama tha se për përballimin e situatës u vendosën të funksion të gjitha mjetet.

Ministrja e Bujqësisë Milva Ekonomi , ndau të njëjtin mendim si ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi duke u shprehur se falë investimeve të zgjuara që janë në bërë nga qeveria , u bë edhe një menaxhim më i mirë i situatës, ndërsa u shpreh se kanalet kulluese kanë zero dëmtime.

“Në vitin 2021 mendohet për të vazhduar investimet. Në buxhetin e shtetit kemi planifikuar një fond që shkon në 3.9 miliard lekë për të ndërhyrë në ato pika që kanë nevojë emergjente dhe për të përballuar çdo lloj situatë që mund të vijë në të ardhmen”, shtoi më tej Ekonomi.

/abcnews.al/