Sot mbahet në Peje mbledhja e përbashkët e qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë. Kjo është mbledhja e pestë qëzhvillohet mes kabineteve qeveritare të të dy vendeve. Ceremonia shtetërore e mirëseardhjes se kabinetit qeveritar shqiptar do të nisë në orën 10:15. Në mesditë do të nënshkruhen marrëveshjet e arritura mes dy palëve, kurse më pas do të ketë një konferencë të përbashkët të të dy kryeministrave.
Ndër vendimet më të rëndësishme që pritet të merren sot nga dy qeveritë është ai i unifikimit doganor, përmes hapjes së një pike të përbashkët doganore në Morinë-Vermicë. Kjo do të lehtësojë procedurat doganore për mallrat që kalojnë nga të dyja anët e kufirit, duke shkurtuar kohën e pritjes në doganë për bizneset e Shqipërisë dhe Kosovës. Mbledhja e parë mes dy qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës u zhvillua në Prizren në 11 janar 2014, ndërsa më e fundit është zhvilluar një vit më parë në Korçë, e drejtuar nga dy kryeministrat Rama dhe Haradinaj./abcnews.al