PDIU takim me LVV në Kosovë, Idrizi: Shpresoj që pranvera e Kosovës të vijë dhe në Shqipëri

schedule15:12 - 12 Tetor, 2019

schedule 15:12 - 12 Tetor, 2019

Një përfaqësi e PDIU e kryesuar nga kryetari Shpëtim Idrizi ka zhvilluar një takim ditën e djeshme me Albin Kurtin dhe përfaqësues të lartë të Lëvizjes Vetvendosja në Kosovë.

Idrizi shprehu vlerësimin e tij për aktivitetin e Vetëvendosjes në shërbim të çështjes kombëtare dhe për qëndresë e punën e Albin Kurtit për të ndryshuar gjendjen e Kosovës dikur në pushtim, e sot si një demokraci që po konsolidohet.

Sipas Idrizit, zgjedhjet ishin një test i kaluar me sukses e përbëjnë një model rotacioni, si për standardet që ruajtën ashtu edhe për rezultatin e tyre. Vota e qytetarëve të Kosovës solli një risi në politikën e vendit duke nxjerrë në skenë një brez të ri por me shumë përvojë politikanësh e së bashku me Vjosa Osmanin e LDK, e cila solli një risi të padiskutueshme në këto zgjedhje, do krijohet mundësia për një politikë të re e të suksesshme.

“Këto zgjedhje kane turbulluar dhe ujërat e ndenjura të kënetës së politikës Shqiptare dhe shpresoj që pranvera e Kosovës të vijë dhe në Shqipëri”, theksoi z. Idrizi.

VV dhe PDIU kanë patur qysh herët një bashkëpunim të suksesshëm si Parti që në fokusin e aktivitetit të tyre kanë çështjen kombëtare.

Gjatë takimit u diskutua lidhur me nevojën për të përafruar realisht sistemin arsimor e për të krijuar një model ekonomik që nuk ka barriera artificiale si ato që janë sot.

Lidhur me krijimin e të ashtuquajturit Schengen Ballkanik, Idrizi e vlerësoi si një hap jo të nevojshëm që rikthen nocione të vjetra politike si ajo e ish-konfederatës Jugosllave dhe theksoi se në Shqipëri është e nevojshme të shohim marrëdhëniet me Serbinë duke mbajtur gjithmonë parasysh interesin e Kosovës.

“Objektivi ynë kryesor është të integrohemi në Europë e jo të kërkojmë artifice që nuk ndihmojnë as Kosovën e as Shqipërinë“, theksoi Idrizi.

Albin Kurti vlerësoi mbështetjen e qytetarëve të Kosovës në këto zgjedhje dhe theksoi se puna e ardhshme do duhet të përqendrohet në rritjen e mirëqenies së tyre dhe rritjen e dinjitetit të shtetit të ri të Kosovës në arenën ndërkombëtare./abcnews.al