Demokratët vijuan dhe sot akuzat për falsifikim të Kodit Penal nga ministri i Brendshëm Xhafaj. Sipas Enkelejd Alibeajt dhe Gazmend Bardhit, Xhafaj pranoi se vëllai i tij është i dënuar për trafik droge, por hesht për ndihmën që i dha për t’i shpëtur drejtësisë. Gjithashtu, demokratët këmbëngulin se vëllezërit Xhafaj janë subjekt i ligjit antimafia.
Në daljen e katërt publike për denoncimin e ministrit të brendshëm Fatmir Xhafaj, selia blu shtriu edhe më tej akuzën e mbrojtjes përmes posteve zyrtare të ministrit ndaj të vëllait të dënuar nga gjykata italiane. Përpos fallsifikimit të nenit të ekstradimit në Kodin e Procedurës Penale, thekson deputeti Alibeaj, ministri jo vetëm nuk zbaton ligjin ndaj të vëllait duke mos inicuar hetim pasuror ndaj tij si e ka detyrim ligjor, por bazuar në nenin 3 të ligjit antimafia, është vetë subjekt i saj.
“Subjekt i këtij ligji është çdo person se ka indicia se është pjesmarrës apo ka kryer krime në lidje me trafikimin e lëndëve narkotikem. Policia ka detyrimin të veprojë me iniciativën e vetë për pasurinë, merr dijeni dhe ia referon prokurorisë”.
Rasti i vëllait të ministrit Xhafaj, theksojnë demokratët, shkon përtej indicieve si pjesmarrës në trafik narkotikësh pasi provohet nga vendimi i gjykatës italiane, e cila e ka dënuar me 7 vjet e gjysmë burg. Subjekt i këtij ligji, për selinë blu, është edhe vetë ministri Xhafaj përmes nenit 3 të tij.
“Neni 3 e thotë qartë se dispozitat e Ligjit Antimafia zbatohen edhe ndaj pasurive të personave, në pronësi ose të zotëruara në mënyrë të tërthortë nga personat e afërm (bashkëshorti, fëmijët, vëllezërit, motrat, bashkëjetuesi), për të cilët prezumohet regjistrimi i rremë, përveçse kur provohet e kundërta”.
Shqipëria është i vetmi vend në botë, sipas selisë blu, ku ministri përgjegjës për zbatimin e ligjit antimafia, është vetë subjekt i tij, duke i dhënë de facto imunitet dhe paprekshmëri të vëllait dhe vetes, përfundojnë demokratët. /abcnews.al