Vijojnë denoncimet nga selia blu ndaj mazhorancës. Këtë të dielë ishte nënkryetari i PD-së, Edi Paloka. Ai tha se anëtari i bandës së Aldo Bares, që u arrestua një ditë më parë në Greqi, shëtiste lirshëm në Shqipëri, edhe pse ishte në kërkim nga Italia për trafik ndërkombëtar droge. Paloka i kërkoi prokurorisë të nisë hetimet për arsyet se pse Edmond Bego u arrestua në Greqi, ku kishte shkuar për pushime, por nuk prekej në Shqipëri.
“Nëse Edmond Bego nuk do ishte nisur me pushime në Greqi, sot shqiptarët nuk do të dinin se një kriminel i rrezikshëm, ka vazhduar të pasurohet lirisht duke u lidhur direkt me disa nga njerëzit më të pushtetshëm në vend, edhe pse ishte i dënuar për trafik ndërkombëtar droge në Itali”.
Deklarata vjen nga selia blu, pasi policia greke arrestoi në pikën kufitare të Igumenicës, Edmond Begon.
“Anëtarin e bandës së Aldo Bares, i dënuar në Itali me 21 vjet burg për trafik ndërkombëtar droge, biznesmenin e lidhur ngushtë me pushtetin e Edi Ramës”.
Për numrin dy të demokratëve Edi Paloka, shqiptarët kanë të drejtë të pyesin organet kompetente por edhe shefin e ekzekutivit..
“Si është e mundur që një trafikant i dënuar droge, jo vetëm nuk arrestohet, por bën i qetë biznes në Shqipëri? A është Taulant Balla politikani që e ka marrë në mbrojtje trafikantin e drogës dhe bën biznes me të?”
Për këto edhe më shumë Partia Demokratike do t’i japë shqiptarëve në ditët në vijim informacionet që disponon mbi arsyet përse sipas tyre ligji nuk ka vepruar për Edmond Begon. Për ta, heshtja e organit të akuzës do të ishte një tjetër e dhënë që edhe ky organ tashmë është në mbështetje të krimit të organizuar dhe jo në luftë me të. /abcnews.al