PD thotë fjalën e saj për zgjedhjet e 6 Marsit, Tabaku: Koalicion me aleatët dhe shqiptarët

schedule12:27 - 20 Janar, 2022

schedule 12:27 - 20 Janar, 2022

Partia Demokratike e ka gati listën e kandidatëve për zgjedhjet e pjesshme lokale në 6 bashki të dekretuara sot nga presidenti Ilir Meta. Në një konferencë me gazetarët nënkryetarja e PD Jorida Tabaku deklaroi se kandidatët i janë nënshtruar një procesi analize në komision.

“Sa i përket pyetjes për zgjedhjet. Por të gjithë si gazetarë të vjetër e dini që PD ka kaluar në një proces të gjerë konsultimi para zgjedhjeve të 25 prillit. Janë prezantuar kandidatura që përbënin një grup njerëzish për t’u përzgjedhur në zgjedhjet e ardhshme lokale.

Ata i janë nënshtruar një proces analize nga një komision. Zgjedhjet lokale të 6 marsit tregojnë faktin që e kemi thënë me vite të degradimit të pushtetit të Edi Ramës”, deklaroi Tabaku.

Por teksa prej muajsh PD po vepron e ndarë nga aleatët opozitarë, sot Tabaku deklaroi se janë të angazhuar për aleancë me partitë opozitare për të krijuar një front që do të përfaqësojë vullnetin e shqiptarëve.

“Faktin që edhe në zgjedhje të pakontestuara, Edi Rama synonte të bënte aleancë për krimin. PD do përfaqësohet me kandidatët më të mirë të mundshëm. Kandidatët do shpallen shumë shpejt dhe brenda afatit. PD është e angazhuar për aleancë me partitë opozitare dhe qytetarët.

Bazuar edhe në ndryshimet e fundit që ne bëmë në statut për të përfshirë të gjithë shoqërinë në një front opozitar. E rëndësishme që PD do përfaqësojë vullnetin e shqiptarëve që e kanë votuar”, tha Tabaku./abcnews.al