Shërbimi Informativ Shtetëror sipas Partisë Demokratike po pengon punën e komisionit hetimor për çështjen “Tahiri”. Nënkryetari i selisë blu Edi Paloka akuzoi kryetarin e komanduar te SHISH Helidon Bendo se ka ndikuar që anëtarët e komisionit hetimor “Tahiri” të mos pajisen me çertifikatë sigurie.
Partia Demokratike akuzoi kreun e komanduar të Shërbimit Informativ Shtetëror, Helidon Bendo se po pengon qëllimisht punën e Komisionit hetimor për çështjen “Tahiri”.
Nënkryetari i selisë blu deklaroi se Bendo ka ndikuar që anëtarët e komisionit të mos paijsen me çertifikatë sigurie.
“Shprehet personi që ka kthyer përgjigje që nuk mund të jepet çertifikata e nivelit tepër sekret në një kohë kaq të shkurtër. Në fakt ne nuk kemi kërkuar këtë çertifikatë, kemi kërkuar një çertifikatë që është dhënë gjithnjë, çertifikata e përkoheshme për rastet kur është kërkuar dhe është për këtë raste që jepet me urgjencë. Rezulton që për herë të parë kreu në detyrë i SHISH ka ndërhyrë direkt vetë për të kthyer këtë përgjigje.”
Sipas Palokës, edhe ndryshimet në kupolën drejtuese të këtij shërbimi kanë këtë qëllim.
“Janë ndërruar të gjithë drejtuesit e kupolës së mëparshme dhe që jo rastësisht janë ata drejtues të SHISH që kanë hartuar të gjithë raportet që lidheshin me trafikun e drogës në Shqipëri dhe kryesisht me emrat e drejtuesve të policisë të implikuar në këtë trafik droge, duket se arrijmë në konkluzionin se Rama ia arriti ta marrë SHISH në duart e tij.”
Komisioni hetimor për çështjen “Tahiri” do të kontrollojë veprimet dhe mosveprimet e organeve shtetërore në parandalimin dhe goditjen e fenomenit të kultivimit dhe trafikut të lëndëve narkotike, përfshirë çështjen për të cilën prokuroria po heton ish-Ministrin e Brendshëm./abcnews.al