PD: Rama po përdor kompaninë “Fusha” për të pastruar paratë e pista

schedule15:15 - 7 Korrik, 2018

schedule 15:15 - 7 Korrik, 2018

Partia Demokratike votimin në parlament të ligjit për teatrin e quan antikushtetues dhe akt mafioz. Sipas deputetes Albana Vokshi në territorin e Teatrit Kombëtar do të ndërtohen tre kulla. Ndërsa kryeminsitri Rama, tha Vokshi, po përdor kompaninë “Fusha” si kompani guackë për të pastruar paratë e paligjshme.

Partia Demokratike akuzon kryeministrin Edi Rama se shembjen e Teatrit Kombëtar dhe  ndërtimin e një teatri të ri e kërkon për të pastruar paratë e përfituara në mënyrë të paligjshme. Deputetja Albana Vokshi nga selia blu foli për një skemë të menduar mirë.

Skema mafioze e pastrimit të parave të pista të drogës dhe korrupsionit nëpërmjet shembjes së Teatrit Kombëtar dhe grabitjes së rreth 8500 metra katrorë pronë publike është e qartë: Edi Rama nxjerr jashtë loje Gjykatën Kushtetuese,  Edi Rama përdor kompaninë Fusha shpk për të bërë ofertën e pakërkuar, Edi Rama miraton ligjin me procedurë të përshpjetuar ”.

Në më pak se katër vjet, kryeministri Rama, sipas deputetes Vokshi, i ka dhënë kompanisë “Fusha” 127 tendera publikë me vlerë rreth 80 milionë euro shumica e të cilave pa garë. 35 prej tyre me vlerë 25 milionë euro komapania “Fusha” i ka marrë nga Bashkia e Tiranës dy vitet e fundit.

Nëse do të ishte zbatuar ligji dhe do të kishte fituar kompania me ofertën më të ulët, buxhetit të shtetit do t’i ishin kursyer mbi 6 mln euro. Mjaftueshëm për rikonstruktimin e Teatrit Kombëtar. Pa garë kompanisë Fusha shpk, i është dhënë ndërtimi i Sheshit Skënderbej, parkingu nëntokësor tek sheshi, që përmbyti veten, Bibliotekën dhe Bashkinë e Tiranës. Pa garë kompanisë Fusha i është dhënë Bulevardi i Vlorës dhe rikosntruksioni i Ministrisë së Brendshme,  e krisur pas tërmetit 5.2 ballësh, të cilit Teatri Kombëtar i mbijetoi. Edi Rama i dha pak muaj më parë me konçesion kompanisë Fusha ndërtimin me 125 milionë euro të hidrocentralit të Kalivaçit, duke rikonfirmuar lidhjen e ngushtë me kompaninë guackë ku do të pastrojë paratë me ligjin posaçëm të Teatrit Kombëtar.”.

Miratimin me 75 vota pro të ligjit për teatrin në parlament deputetja e Partisë Demkratike e quajti një akt mafioz për t’i hapur rrugë kompanisë “Fusha” të ndërtojë në pronë publike gjashtë kulla, tre prej të cilave deklaroi Vokshi, brenda territorit të teatrit, por sipas saj, opozita nuk do ta lejojë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!