“Projekti 40 milionë euro i Unazës së Re është i paligjshëm dhe korruptiv dhe kërkon hetimin dhe dënimin e shumë zyrtarëve të lartë.” Deklarata erdhi nga foltorja e selisë blu, nga ku këshilltari ligjor i demokratëve Gazment Bardhi akuzoi kreun e bashkisë Tiranë Veliaj dhe atë të qeverisë Rama se kanë shkelur vendimin e firmosur nga vetë kabineti i këtij të fundit më 15 korrik 2015.
“VKM nr. 628 përcakton rregullat për projektimin dhe ndërtimin e rrugëve, ku më kryesori është studimi i fizibilitetit, ai që orienton qeverinë, nëse një projekt është i dobishëm dhe nëse kosto justifikon përfitimin”.
Është kjo VKM ajo që udhëzon rregullat teknike për projektimin e rrugëve që kërkon një studim paraprak të besueshmërisë, një vlerësim teknik, analizë kostosh dhe përfitimesh përpara proejktimit të idesë.
“Projekti 40 milionë euro është tenderuar: Pa studim fizibililiteti; Pa vlerësim të ndikimit në mjedis; Pa analizë kostoje dhe përfitimi; Pa vlerësim shpronësimësh. Për shkak të shkeljes së ligjit, sot, askush nuk e di sa kushton realisht projekti i Unazës së Re”.
Këto procedura janë kapërcyer qëllimisht sipas demokratëve, për të fryrë faturën e ndërtimit të 2.2 kilometrave rrugs në 40 milionë euro dhe për të shmangur shpronësimet. E kjo nuk është e vetmja paligjshmëri e gjetur që në fazën e ideimit të këtij projekti, thekson Bardhi.
“Nën presionin e protestave të qytetarëve dhe opozitës, qeveria ka pranuar se projektimi i veprës tek Unaza e Re është dhuratë, është sponsorizim nga një kompani private. Ky është një tjetër veprim i paligjshëm me projektin 40 milionë euro”.
Është ligji për sponsorizimet ai që rregullon mbështetjen me ndihma financiare dhe materiale për veprimtari specifike ku përfshihen ato humanitare, kulturore e artistike, sportive, edukative, arsimore, ekologjike, vepra letrare shkencore enciklopedike apo botuesve të shtypit, por jo asaj të ndërtimit të rrugëve.
“Por, përsa kohë, projektet tenderohen për të vjedhur, shkelja e ligjit është një normalitet për qeverinë e Edi Ramës. Siç paracaktoi në tenderin korruptiv kompanitë me të cilat do të ndajë 40 milionë eurot tek Unaza e Re, duke pranuar një dhuratë, një sponsorizim të paligjshëm, Edi Rama ka paracaktuar edhe supervizorin e punimeve, që pritet të jetë vetë kompania dhuruese e projektit të paligjshëm 40 milionë euro”.
Për këtë Partia Demokratike i drejton prokurorisë thirrjen për të dëgjuar protestuesit e për të marrë menjëherë në shqyrtim kallëzimin e tyre penal me qëllim vënien përpara përgjegjësisë zyrtarët e përfshirë në atë që demokratët etiketojnë si aferë gjigande korruptive./abcnews.al