PD: Përgjimet faktojnë deputetin e PS si pjesëtar i bandës “Shullazi”

schedule13:25 - 18 Gusht, 2018

schedule 13:25 - 18 Gusht, 2018

Deputeti demokrat, Ervin Salianji nga foltorja e selisë blu ka akuzuar Prokurorinë dhe kryeministrin se po heshin përpara një të vërtete të faktuar dhe bërë publike tashmë, se deputeti i mazhorancës Jurgis Çyrbja është pjesë e bandës së Emiliano Shullazit.

Pas denoncimit të një dite më parë, që akuzon deputetin socialist në Shijak Jurgis Çyrbja, si anëtar i banës së Emiljano Shullazit, demokratët kërkojnë reagimin e organit të akuzës por edhe atij që Çyrbes i dha karrigen e deputetit në parlamentin Shqiptar.

Ervin Salianji, deputet i PD: “Është e papranueshme sesi nga Prokuroria nuk ka asnjë reagim për komunikimet e përgjuara në mënyrë të ligjshme prej saj, ku deputeti i Edi Ramës ka komunikuar të paktën dy herë në telefon me Gilmano Danin, krahun e djathtë të Emiljano Shullazit për çeshtjen e hotel Vollgës. Kjo pronë është rregjistruar në pronësi të Emiljano Shullazit nga Jurgis Çyrbja, por ndryshe nga Shullazi që është në burg, Çyrbja është në parlament nën mbrojtjen e Edi Ramës. Edi Rama, njësoj si prokuroria që ka në varësi, hesht prej 24 orësh”.

Arsye e ksaj heshtje për Salianjin është e njëjta që shtyu kryeministrin të mbrojë ata me të cilët zbaton planin e asaj që demokratët quajnë “bashkëqeverisje me krimin”.

“Kështu po mbron Rama: Saimir Tahirin, Fatmir Xhafën, Vangjush Dakon, Qazim Sejdinin, Damian Gjiknurin, Mark Frrokun, Arben Ndokën, Armando Prengën dhe çdo lidhje të krimit brenda dhe jashtë parlamentit”.

Nëse prokuroria nuk do të ishte kukull e qeverisë, ajo do të zbatonte ligjin duke çuar në Kuvend kërkesën për arrestimin e deputetit Çyrbja, përfundon Salianji./abcnews.al