Lulzim Basha as nuk surprizoi, e as nuk zhgënjeu sërish partinë demokratike që e mori po e lë jashtë sfidës elektorale në Kukës. Siç ishte bërë e qartë, vendimin nuk e komunikoi ai, por u fsheh pas degës së Kukësit dhe argumenteve që kjo degë përcolli, përmes vendimit të shpërndarë në rrjetin social Facebook.
Këtë të premte Lulzim Basha qëndroi gjatë në zyrën e tij, në selinë e vogël të PD-së, por asnjë komunikim nuk pati. Siç duket fokusi i tij janë postet që do të ndahen të shtunën, në këshillin kombëtar të PD.
“Ne nuk do të propozojmë kandidat për zgjedhjet për Bashkinë e Kukësit. Partia Demokratike Dega Kukës qëndron fuqimisht në mbrojtje të interesave të kuksianëve, në mbështetje të tyre. Kuksianët meritojnë një alternativë që do t’u shërbejë atyre dhe jo gara të paracaktuara nga oligarkët në kurriz të demokratëve”, thuhet në deklaratë.
Ishte ky vendim, që u përcoll nga dega, në fakt dy herë, brenda pak minutash. Ndoshta për shkak të mungesës së plotë të konsultimit midis qendër dhe degës së Kukësit, fillimisht vendimi u komunukua me një shkrim të gjatë, duke shtuar këtu dhe përpjekjet për të bashkëkunuar me Sali Berishën, përpjekje që ishin pa sukses.
Ky shkrim u fshi dhe më pas dhe u shpërnda një shumë më i shkurtër dhe i përmbledhur që qartësonte se kjo ndodhte vetëm për arsye të ringritjes së PD-së atje.
Madje, ndodhi që edhe mes vetë deputetëve të grupit Basha, të shpejtojnë për të mbështetur degën, që nuk nxori kandidat.
Kreshnik Çollaku në Facebook shkroi se ky ishte një vendim i përgjegjshëm dhe që vendoste të parin interesin e demokratëve në Kukës. Pasi dega e fshiu njoftimin e saj të parë, e fshiu edhe Kreshnik Çollaku mbështetjen që i dha degës.
I koordinuar apo i pakoordinuar vendimi në momentin e komunikimit, ai tregon vetëm një gjë, që Lulzim Basha po i qëndron larg edhe një sfide elektorale të radhës dhe shmang ndoshta daljen i treti, për herë të tretë.