PD: Operacioni i manipulimit të numrit të votuesve ka lënë gjurmë

schedule14:16 - 5 Korrik, 2019

schedule 14:16 - 5 Korrik, 2019

Sipas sekretarit për çështjet zgjedhore në PD, Ivi Kaso, operacioni i manipulimit të votave më 30 Qershor edhe pse ka qenë i planifikuar ka lënë gjurmë. Në një deklaratë nga selia blu këtë të premte, Kaso tha se për të ruajtur në letra rezultatin e vitit 2017, Rama përdori KQZ-në dhe qindra komisionerë për të rritur artificialisht numrin e pjesëmarrësve në votime.

“Gjatë këtyre ditëve, Partia Demokratike ka njohur opinionin publik me operacionin kriminal të Edi Ramës për të manipuluar pjesëmarrjen e votuesve në farsën e paligjshme të 30 Qershorit. Për të mbuluar dështimin, braktisjen, refuzimin e 85 përqind të shqiptarëve, Edi Ramës i duhej të ruante me letra rezultatin e 2017-ës.

Për këtë, ai përdori Denar Bibën, 3 persona të tjerë të Komisionit Qendror të Vjedhjeve dhe qindra komisionerë për të mbushur kutitë, duke rritur artificialisht numrin e pjesëmarrësve. Ai mbushi kutitë me plot 280 mijë vota, duke u rikonfirmuar si Babloku i madh i skemës së vjedhjes së votave dhe një person që përsërit krimin elektoral sa herë ka votime.

Por operacioni kriminal i manipulimit të numrit të votuesve të 30 Qershorit megjithëse ka qenë i planifikuar, ka lënë gjurmë. Për të justifikuar ndryshimin me plot 66 mijë vota të shtuara brenda 24 orësh vetëm sipas shifrave të KQZ, njëri nga anëtarët e bandës në KQZ, Bledar Skënderaj, deklaroi publikisht se gabimi mes rezultatit të parë dhe atij final ishte vetëm 1.3 përqind”.

Ndër të tjera, Kaso tha se në 1 të tretën e bashkive është shtuar më shumë se gjysma e votave.

“Është 1 e treta e bashkive ku janë shtuar më shumë se gjysma e votave, për arsyen e vetme që Kryeministri në minorancë, Edi Rama, të mbulojë dështimin, refuzimin, braktisjen e madhe të 30 Qershorit. Në fakt operacioni kriminal ka qenë shumë më i rëndë. Vetëm në Tiranë manipuloi dhe shtoi rreth 60 mijë votues. Kjo është arsyeja pse Komisioni Qendror i Vjedhjeve nuk ka hedhur në sistemin online të dhënat e operatorëve për pjesëmarrjen dhe, akoma, 5 ditë pas  30 Qershorit nuk ka publikuar rezultatet qendër për qendër. Ky është një krim masiv elektoral dhe shpërdorim detyre i kryer nga Denar Biba dhe shumë kriminelë të tjerë pjesë e administratës së Komisionit, që kanë guxuar me lehtësi dhunimin e rëndë të ligjit, Kushtetutës dhe demokracisë”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!