Pasditen e sotme, pak pas orës 17:00 ka nisur një mbledhje e kryesisë së Partisë Demokratike, ku pritet që të caktohet data për mbajtjen e Kuvendit Kombëtar të kësaj force.
Mbledhja, e cila po zhvillohet në ambientet e selisë blu, nisi me paraqitjen e raportit të analizës së degëve të partisë, nga kryetari i PD-s, Lulzim Basha. Duke folur për ndryshimet statutore, të kërkuara nga kritikët e tij, Basha tha se ato janë atribut i Kuvendit Kombëtar.
“Çdokush që ka dëshirë duhet të ketë hapësirën totale të kontribuojë në proces”, tha Basha, i cili mësohet të ketë deklaruar se duhet të paraqitet për vendimmarrje çdo kontribut për fuqizimin e PD-s.
Mësohet se ai kërkoi nga kryesia, që të caktojë kohë të mjaftueshme për shqyrtimin e propozimeve që do bëhen, si dhe ngritjen e një grupi proaktiv, i cili brenda dy javësh duhet të mundësojë kontakte direkte me ata që dëshirojnë të kontribuojnë.
Propozimet, sipas Bashës, duhet të shqyrohen bashkë me sekretariatin ligjor, për të pasur një vendimarrje. Basha ka propozuar që ky grup pune të përbëhet nga nënkryetarët, Edi Paloka e Edmond Spaho; sekretari përgjithshëm, Arben Ristani; sekretarët, Eno Bozdo e Fatbardh Kadilli si dhe anëtarët e kryesisë, Gent Malko dhe Arben Imami./abcnews.al