PD-LSI një qeveri me dy programe, Teliti e Haxhinasto në Log: Shkrirja në një, çështje teknike

schedule22:28 - 1 Shkurt, 2021

schedule 22:28 - 1 Shkurt, 2021

Dorian Teliti dhe Edmond Haxhinasto kanë treguar në “Log” me Endri Xhafon në ABC sesi PD dhe LSI do t’i shkrijnë dy programet e tyre politike në një plan qeverisës nëse dalin fitues pas 25 prillit.

Teliti u shpreh se ajo që duhet theksuar është që të gjitha partitë janë bashkuar në një front unik opozitar. Eksperti i ekonomisë në PD, tha se kanë vënë re që edhe programi i LSI i jep zgjidhje krizave aktuale e për këtë arsye ka mundësi integrimi.

“Ne kemi vënë re që edhe programi i LSI jep zgjidhje për krizat akute. Kemi kapacitete për të shkrirë dhe integruar programet.”

Nga ana tjetër, Haxhinasto tha që është traditë politike e LSI-së që t’i bëjë mirë detyrat e shtëpisë.

“LSI që nga themelimi ka dalë me programe shumë serioze. nNuk është çudi që disa nga prioritet janë koherente. Programi i 2021 është në traditën më të mirë që kemi ne. Vjen edhe nga pjekuria e politike e LSI. Me PD ndajmë një analizë të përbashkët për problemet e mëdha aktue që ka vendi.  Nëse kjo forcon identitetin e një partie në një fushatë zgjedhore, kjo është pozitive. Partia ka fytyrën e saj.”

Por si bëhet konkretisht shkrirja e dy programeve në një plan qeverisës?

Dorian Teliti argumentoi se njerëzit janë në mjerim dhe bizneset janë të falimentuara, dhe sipas tij hapi kryesor është që çmontohet sistemi aktual.

“Kemi një fakt, njerëzit janë në mjerim, bizneset janë të falimentuara, duhet të çmontojmë këtë sistem. Ne nuk duam të dalim me premtime që janë bërë në këto 30 vite.”

Ndërsa, për shkrirjen e programeve, Teliti tha se PD dhe LSI mendojnë për zgjidhjen e disa çështjeve kryesore siç mund të jenë fëmijët, të rinjtë e biznesi, dhe sipas tij, nëse bien dakord për tema madhore, shkrirja e programeve do të jetë thjesht një veprim teknik.

“Në momenti që të dyja forcat mendojnë për fëmijët, kur të dyja mendojnë për rininë shqiptare biem dakord, kur mendojmë për biznesin biem dakord, platforma thuajse të njëjta, nuk shoh vështirësi tek për të implementuar një program të përbashkët, ky është tërësisht aspekt teknik, e rëndësishme është që ta kemi qëllimin e qartë dhe të mos bëjmë premtime kot. Ne duam të rrisim mirëqenien e shqiptarëve, njëlloj do edhe LSI.” s.b/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!