PD: Koncesioni i sterilizimit të instrumenteve mjekësore, korruptiv

schedule14:59 - 25 Tetor, 2019

schedule 14:59 - 25 Tetor, 2019

Opozita akuzon Ministrinë e Shëndetësisë se po redukton numri e planifikuar të ndërhyrjeve kirurgjikale, pasi do të mbrojë koncesionin korruptiv të sterilizimit të instrumenteve mjekësore. Ministrja Manastirliu në një reagim për mediat I cilëson akuzat e pavërteta dhe shprehetr se ka racionalizim të ndërhyrjeve dhe jo reduktim.

“Vetëm 90 persona në muaj kanë të drejtë të kenë ndërhyrje kirurgjikale, ndërsa vetëm 65 të tjerë mund të planifikohen”, është ky denoncimi që ka bërë PD nëpërmjet ish-deputetit, Bardh Spahia.

Spahia nëpërmjet një postimi në Facebook akuzon Ministrinë e Shëndetësisë për  koncesionin e sterilizimit të instrumenteve mjekësore duke e cilësuar si korruptiv.

Sipas Spahisë edhe për ndërhyrjet më të vogla që kërkojnë 2-3 instrumente, koncesionari i sterilizimit ofron vetëm setin me 10 fishin e instrumenteve që nevojiten, duke rritur koston shumëfish.

Akuza për këtë çështje, u artikuluan edhe nga nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Petrit Vasili.

Për akuzën e PD-së reagoi edhe ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu duke thënë se nuk ka urdhër për reduktim operacionesh.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë vetëm në 9 muajt e parë të 2019 janë kryer më shumë se 47 mijë ndërhyrje kirurgjikale me instrumentet e rinj dhe sterilizimin me standardet më të larta./ABC News Albania