PD: Justifikimet për rritjen e çmimit të naftës, gënjeshtër e pastër

schedule13:08 - 15 Korrik, 2019

schedule 13:08 - 15 Korrik, 2019

Partia Demokratike ka denoncuar sërish rritjen e çmimit për karburantet nga qeveria. Sekretari organizativ Eno Bozdo tha se rritja e çmimit me justifikimin e detyrimeve të Shqipërisë kundrejt BE është gënjeshtër. Bozdo kujtoi se sapo të vijë në pushtet, PD do ulë me 300 lekë për litër çmimin e naftës.

“Qeveria kërkon përsëri të rrisë çmimin e karburantit. Këtë kërkon të justifikojë në emër të detyrimeve të Shqipërisë kundrejt BE dhe përafrimit të legjislacionit të fushës. Kjo është një gënjeshtër e pastër sepse Shqipërisë vërtet i kërkohet mbajtja e rezervave të sigurisë së karburantit, për t’u përdorur në rast emergjencash kombëtare, por kjo nuk është aspak gjë e re. Industria shqiptare e sektorit të naftës dhe gazit e ka patur detyrimin për të mbajtur këto rezerva që në vitin 1999, me ligjin që është ende sot në fuqi.

Me amendimin që iu bë këtij ligji në vitin 2004, përcaktohet qartë se Industria duhet të mbajë rezervë sigurie të përllogaritur në 90 ditë shitje dhe konsum. Industria e ka plotësuar këtë kërkesë, dhe koston e mbajtjes së kësaj rezerve e ka transferuar prej 15 vitesh tashmë në çmimin final të karburantit për konsumatorët. Nuk është aspak e nevojshme që ky model të ndryshojë. Por qeveria kërkon ta ndryshojë modelin duke gënjyer shqiptarët. Gënjen kur thotë që është detyrim i BE-se, siç gënjen kur deklaron se çmimi i karburantit nuk do të rritet. Praktikisht, ajo do t`ia riblejë industrisë këtë sasi nafte me lekët e taksapaguesve, gjë për të cilën taksapaguesit kanë 15 vite që paguajne. Këto para shkojnë dy herë në xhepat e oligarkëve të sektorit, ndërsa shqiptarët paguajnë dy herë të njëjtën gjë. Kjo është vjedhje e hapur”, tha Bozdo./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!