“PD-ja ka marrë fund, Berisha po tregohet qesharak”/ Gjikondi: Integrimi, pikë e fortë e PS-së

schedule18:44 - 22 Prill, 2025

schedule 18:44 - 22 Prill, 2025

Juristja Brizida Gjikondi komentoi zhvillimet nga fushata elektorale duke u ndalur edhe tek sondazhi i publikuar në “ABC News”.

Gjatë intervistës në “Tirana Live” në ABC News, Gjikondi u shpreh se edhe në takimet e tij gjatë fushatës, ish-kryeministri Sali Berisha po tregohet shumë qesharak.

Ajo nënvizoi se kreu i PD, nuk ka më se çfarë t’i ofrojë vendit. Ndërsa sa i përket fushatës së PS, sipas juristes, kryeministri Edi Rama ka kapur pikën më të fortë, integrimin, për të cilën shtoi se është një tezë që ka argumente të mjaftueshme dhe për të ecur përpara.

“Duke menduar që PD është një parti e çarë dhe e përçarë, me bija të saj, me klane apo parti të reja që nuk janë as majtas as djathtas. Një Berishë i amortizuar, dhe nuk i vijnë natyrshëm në të gjitha gjërat që bën. Aq më tepër që ka një gjuhë vëllavrasëse. Ndërsa për PS mendoj që zoti Rama ka kapur pikën e fortë të integrimit…Në fushatë dihet që ka gjithmonë gjëra pikante, por mendoj që mjafton teza e integrimit europian dhe zoti Rama ka argumente për ta bërë të mjaftueshme dhe për të mos rënë në nivelin e kënetës siç thotë ai. Zoti Rama ka ditur gjithmonë dhe arrin të zgjojë interesin dhe të bëhet interesant për breza të caktuar edhe me ato që përdor. Ndërsa Berisha edhe si energji, edhe si imazh mendoj që nuk ka çfarë ofron më. Edhe kjo kapelja që e bën shumë qesharak”, tha ndër të tjera Gjikondi.

Gjithashtu juristja komentoi edhe dosjen “Partizani”, për të cilën Gjykata e Lartë rrëzoi rekursin e Sali Berishës, për masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, Gjikondi tha: “Kjo tregon paburrësinë e Berishës që nuk shkon të përballet. Nëse është në paqe me veten shkon përpara gjykatës dhe nuk ka pse të fshihet. Shkon përballet e çon në Strasburg dhe vazhdon jetën politike. Mendoj që 10-ditëshin e fundit të fushatës do të ketë një “agresivitet”. Me sa po shoh të gjithë barrën e fushatës e ka marrë Edi Rama. Ai ka thënë se do që ta çojë edhe në këtë fitore PS. E rithem se sfida e vërtetë për PS është Tirana…jo vetëm si kryeqendra e Shqipërisë, por edhe si qarku që nxjerr më shumë deputetë”.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!