Deputetja demokrate Grida Duma bëri sot të ditur se do të hiqte dorë nga mandati i saj për t’u larguar kështu nga jeta politike. Të njëjtën gjë njoftoi një ditë më parë edhe deputeti Alfred Rushaj.
Vendet e tyre në Kuvend pritet që t’i zënë, Petrit Doda dhe Ori Nebiaj. Por në cilin krah do të shkojnë këta deputetë të “rinj” të PD-së, duke qenë se kjo forcë politike është aktualisht e ndarë në dy kampe.
I ftuar në “Radari Informativ” në ABC, deputeti demokrat Edmond Spaho u shpreh se secili prej tyre duhet të bëjë zgjedhjen e tij.
“Uroj të bëjnë zgjedhjen më të mirë, uroj t’i kenë vlerësuar ngjarjet sa më objektivisht,” shtoi ai.
Ndërsa komentonte faktin që me shumë mundësi PD do të shkojë e ndarë në zgjedhjet lokale, Spaho tha se argumentet e paraqitur nga pala tjetër nuk qendrojnë. Kurse, sa i përket sondazheve, ai shtoi se nuk janë të besueshme në vendin tonë.
“Kështu duket, mesa është deklaruar nga krahu tjetër. Nuk pranonin zgjedhjet me primare. Primaret i kemi pasur edhe në statutin e mëparshëm. Zgjedhjet e 2021 u bënë me primare. Arugumenti që u paraqit nga ta nuk qëndron, për të gjetur një mënyrë ekstrastatutore. Ju e dini sa kredibël janë sondazhet në Shqipëri. Arsyeja themelore është që ne e kemi përcaktuar që do të shkojmë me primare.”
Për Spahon, e mira do të ishte që PD të bashkohej për zgjedhjet, por gjithsesi ai shprehet i bindur që grupi i Alibeajt nuk mund të paraqesë kandidatura serioze dhe konkurruese në zgjedhjet e pranverës.
“Ne insistojmë që të bashkohemi sepse të bashkuar jemi më të fortë. Nëse kjo nuk arrihet, individë të caktuar brenda këtij grupi, mund të rishikojnë pozicionin e tyre dhe të vinë dhe të mbështesin kandidaturën që do të dalë nga primaret. Tani kemi kaluar në një proces tjetër, ku njerëzit e panë se shumica i takon Foltores. Nuk kanë kapacitete, as për të paraqitur kandidatë që të jenë seriozë e të konkurrojnë. Për të mbushur numrin mund të gjesh. Të organizojë struktura e të konkurrojnë me dinjitet, s’ka. Efekti i këtij grupi do të jetë shumë më i vogël se në 6 mars.”