Deputetët e Partisë Demokratike kanë nisur një fushatë denoncimi për përkeqësimin e arsimit në vend vit pas viti. Në zonat zgjedhore që i kanë dhënë mandatin, deputetët kanë evidentuar largimin e nxënësve nga shkollat apo edhe mbylljen e disa prej këtyre institucioneve arsimore.
Kryetarja e Komisionit të edukimit, demokratja Albana Vokshi pasi uroi nxënësit dhe mësuesit për ditën e parë të shkollës ka akuzuar ministrinë e arsimit, por edhe vetë kryeministrin për politika anti-sociale dhe shkelje të ligjit në mbylljen e mbi 100 shkollave në të gjithë shqipërinë.
Albana Vokshi: “Janë me mijëra fëmijë në të gjithë Republikën e Shqipërisë, kryesisht në zonat rurale ose që nuk kanë pasur mundtësinë që të shkojnë në shkollë, paso shkollat e tyre janë mbyllur ose janë detyruar që të udhëtojnë me kilometra të tërë. Nuk kemi as edhe një informacion nga ministria e arsimit se sa është numri në total dhe ku janë shkollat që janë mbyllur. Sa është numri në total i nxënësve që duhet të shkojnë nga njëra shkollë në tjetrën. Është tronditëse pasi janë 150 shkolla. PD ka pasur në terren të gjithë deputetët e saj të cilët kanë vizituar në terren të gjitha shkollat e mbyllura në të gjithas fshatrat.”
Në ditën e parë të vitit të ri shkollor Jorida Tabaku denoncoi mbylljen e shkollave në zonën e Priskës, fshatin Herras dhe atë Pinar duke detyruar prindërit të zhvendosin fëmijët e tyre në shkolla më të largëta. Mbi 85 nxënës do të detyrohen të mos vijojnë mësimin në shkollën ekzistuese në Pinar duke u zhvendosur në qendër të njësisë administrative, theksoi Tabaku.
Jorida Tabaku: “Është një zonë që nuk ka parë investime në 5 vitet e fundit ku po i detyron fëmijët e zonës të shkojnë deri në 7 km më larg, në qendër të Zallherrit, me rrugë të pashtruar, pa kushte, pa i njoftuar. I kanë njoftuar ditën e premte që do të spostohen mësuesit dhe nxënësit”.
Deputetja Lindita Metaliaj deklaron se janë 9 shkollat e mbyllura në qytetin e Lezhës.
Lindita Metaliaj: “Shkolla 9-vjeçare Gramsh e cila do të mbyllet dhe do të shkojë në Xhadër, shkolla Gocaj do t shkojë në Kakarriç, shkolla Baçaj shkon në Blinisht, shkolla Kodhel shkon po në Blinisht, shkolla Fishtë e cila transferohet në Troshanë, shkolla Krajen shkon përsëri në Troshan, shkolla Dragushë e cila transferohet në Mapë, shkolla Shkëmbi i Kuq e cila transferohet në Kolajakaj dhe shkolla Mërçi e cila transferohet në shkollën Rraboshtë.”
Të njëjtin fat ka patur edhe shkolla në fshatin Dajç të Shkodrës denoncon deputetja Izmira Ulqinaku.
Izmira Ulqinaku: “Nuk është e vetmja që kjo ditë e parë i gjen të mbyllura pasi deri vjet kanë funksionuar”.
Në Elbasan 18 janë shkollat e mbyllura sipas demokratëve.
Endri Hasa: “Shkolla e cila ka kushtuar rreth 2 milionë euro, sot që duhet të gumëzhinte rri e mbyllur. Si kjo shkollë ku investimi po shkon dëm po mbyllen qindra shkolla në të gjithë vendin”.
Luciano Boci: “Ne kemi denoncuar se kjo shkollë është dhënë për destinacion tjetër me qira edhe kjo është krejtësisht ë papranueshme. Janë 18 shkolla që janë mbyllur pothuajse në të gjitha qarqet e Shqipërisë”.
E tillë shfaqet situata edhe në qarkun Dibër ku deputetja Dhurata Çupi denoncon mbylljen e rreth 30 shkollave, 6 të tjerave në Klos, 10 ne Mat dhe10 të tjera në Bulqizë. Denoncimet e demokratëve kanë vijuar edhe nga Peshkopia, Vlora, Pogradeci dhe Fieri./abcnews.al