PD Denoncim për fondin e kujdesit të detyrueshëm shëndetësor

schedule13:50 - 8 Nëntor, 2018

schedule 13:50 - 8 Nëntor, 2018

Partia Demokratike ka denoncuar qeverinë për favorizim të familjarëve në marrjen e posteve drejtuese shtetërore. Bëhet fjalë për Fondin e Kujdesit të Detyrueshëm Shëndetësor, ku zëvendës drejtoreshë e përgjithshme është votuar motra e ministrit të financave dhe ekonomisë Arben Ahmetaj nga vetë ky i fundit, anëtar bordi i Këshillit Drejtues. Por nuk mbaron këtu, sipas demokratëve, pasi anëtare është edhe ministrja Manastirliu, kunata e së cilës punon në këtë institucion, sëbashku me kunatën e Taulant Ballës, kunatën e Fatmir Xhafës dhe atë të Engjëll Agaçit.

Nga 310 milionë euro buxhet i Fondit, 110 milionë euro paguhen direkt nga shqiptarët, si sigurim shëndetësor dhe 200 milionë vijnë nga taksapaguesit për t’u ndarë më pas mes klientëve të qeverisë, sipas Partisë Demokratike, e cila denoncon se qeveria vetëm në një vit, paguan 24 milionë euro për koncesionet në shëndetësi, 90 milionë euro për rimbursimet dhe me pjesën tjetër financojnë spitalet.

Është ky model i motrave dhe kunatave të ministrave në administratë që detyron 79 % të rinisë mendojë largimin nga vendi, theksojnë demokratët sipas të cilëve, vëmendja e qeverisë jo vetëm nuk është tek qytetarët, por është vetëm tek familja e kryeministrit, ministrave dhe pushtetarëve të tjerë, gjë e cila duhet ndaluar me masa të rrepta ligjore sipas kësaj force politike./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!