Pavarësisht skandalit Pegasus, nëpunësit e NSO bëjnë një “gjumë të qetë”

schedule15:27 - 27 Korrik, 2021

schedule 15:27 - 27 Korrik, 2021

Nga Omri Zerachovitz, haaretz

Paga është e mirë dhe kushtet e zyrës gjithashtu, por ndërkohë shumë ish nëpunës apo të punësuar aktual të NSO-së, thonë se kompania izraelite për krijimin e programeve kompjuterike për spiunazh, ka qëllime të mira. Por ka dhe nga ata që shprehen: Sot është turp të thuash se ke punuar tek NSO.

Në fund të vitit 2018, kompania e spiunazhit kibernetik NSO organizoi një pritje  të veçantë për punonjësit e saj në Universitetin e Tel Avivit. Eventi, një nga më të mëdhenjtë në historinë e kompanisë, përfshinte shfaqje muzikore dhe leksione nga të ftuar dhe një panel të drejtuesve të NSO, raporton abcnews.al

Sidoqoftë, gjithashtu kishte një aspekt unik social: kompania kishte ftuar gjithashtu prindërit, partnerët dhe fëmijët e punonjësve. Vendimi për të organizuar një ngjarje për një audiencë kaq të gjerë ishte me sa duket jo i rastësishëm: Tre muaj para se të vritej kolumnisti i Uashington Post, Jamal Khashoggi, dhe ndërkohë po përhapeshin raportimet se teknologjia e firmës mund të kishte luajtur një rol në ndihmë të sauditëve për ta gjetur atë.

NSO përpiqej të qartësonte qëndrimin e saj – deri më sot ajo mohon çdo lidhje me çështjen Khashoggi – me familjet e punonjësve. Deri atëherë, vrasja e Khashoggi ishte një nga krizat më të mëdha të kompanisë, për shkak të identitetit të klientit (Arabia Saudite), shënjestrës (një gazetari) dhe stuhisë ndërkombëtare të shkaktuar për shkak të përfshirjes së drejt për drejtë në vrasje, të Princit të Kurorës Saudite, Mohammed bin Salman.

Por edhe në krahasim me atë krizë, ajo që ndodhi javën e kaluar ishte në një tjetër nivel, diçka që kompania nuk do ta harrojë shpejt.

Projekti Pegasus është një hetim i organizuar nga “Forbidden Stories” – organizatë jofitimprurëse, së bashku me një grup prej 17 organizatash mediatike ndërkombëtare dhe Amnesty International për një rrjedhje prej 50.000 numrash telefonikë që ishin objektiva të mundshëm të mbikëqyrjes për vendet që blenë programin për spiunazhin kibernetik të NSO-së.

Hetimi i botuar nga organizatat e medias theksonte se programi kompjuterik i krijuar dhe i licencuar nga kompania izraelite NSO ishte përdorur në sulmet e mbetura në tentativë por dhe në ato të suksesshme ndaj 37 telefonave celularë që iu përkisnin gazetarëve, zyrtarëve të qeverisë dhe aktivistëve të të drejtave të njeriut. Raportet shtesë treguan gjithashtu se numrat e telefonit të krerëve të shteteve kishin qenë në shënjestër, raporton abcnews.al

NSO thotë se produkti i saj ishte menduar vetëm për përdorim nga shërbimi i inteligjencës nën kontrollin e qeverisë; dhe nga agjencitë e zbatimit të ligjit për të luftuar terrorizmin dhe krimin. Ata mohojnë që lista e numrave të telefonit të ketë të bëjë me ‘të ose me programin Pegasus.

Nëse pas vrasjes së Khashoggi, NSO duhej të reagonte për të ngritur moralin, si do të reagojë NSO pas një prej javëve më dramatike në historinë e saj?

A i ka minuar reklamimi i vazhdueshëm negativ gjatë viteve përpjekjet e saj për rekrutimin e punonjësve dhe a ka ndikuar në ndonjë mënyrë tek punonjësit aktualë?

“A ka NSO një problem rekrutimi? Jo, thjesht paguan shumë më tepër,” u shpreh një burim pranë kompanisë,  këtë javë. Një burim tjetër tha se rekrutuesit e NSO-së janë duke ofruar paga të mëdha, edhe në krahasim me standardet e sotme në teknologjinë e lartë, prej 30.600  deri 36.700 dollarë në muaj.

“Ata shkojnë tek njerëzit që sapo kanë mbaruar shërbimin e tyre të ushtrisë dhe kjo do të jetë oferta e tyre e parë e punës; dhe u japin atyre të gjitha mesazhet që ata kanë çuar dhe marrë në profilet sociale; duke thënë se kompania bën gjëra të mira, ajo ka mësuar nga gabimet e saj, etj. Një ish-drejtues i ekipit u ofron atyre një pagë shumë të lartë dhe ata i thonë vetes: ‘Unë do të punoj atje një vit ose dy dhe do të bëj një shumë të mirë në një vit, ‘është joshëse’, thonë burimet e industrisë.

NSO konsiderohet gjithashtu një vend pune pozitiv që mundëson udhëtime me avion për punonjësit e saj jashtë vendit çdo vit, organizon festa të mëdha dhe përpiqet të sigurojë një atmosferë të ngrohtë.

Sidoqoftë, ka nga ata në industrinë e sigurisë kibernetike që thonë se vitet e fundit disa kanë refuzuar ofertat bujare të NSO, ose madje dhe janë larguar nga kompania. Pyetja është nëse ata po e bëjnë këtë për arsye morale apo për shkak të karakterit aktual të kompanisë, raporton abcnews.al

 

Sepse ndërsa ka burime të industrisë që këmbëngulin se reputacioni i NSO si një punëdhënës ka qenë më i ulët, shumë punonjës aktualë dhe ish-të punësuar thonë se nuk ka asnjë fenomen të “larguarve prej ndërgjegjes”, të paktën jo publikisht.

Sidoqoftë, për shkak të raportimeve të gazetave, nuk mund të jetohet në mohim nëse je pjesë e NSO-së, duhet një diskutim serioz me veten, këmbëngulje për përgjigjet që kërkohen nga drejtuesit, dhe mundësia për të zgjedhur çdo herë nëse do të jeni pjesë e kompanisë, për t’i thënë veten se po bën mirë në botë apo jo. Kjo është një fushatë delegjitimimi që është e pashembullt në Izrael, duke sugjeruar që NSO ishte në shënjestër e përmasave të ekzagjeruara nga mbulimi negativ i medias.

Një tjetër punonjës që u largua thotë, “Aspekti moral nuk është arsyeja kryesore e largimit, por mund të luajë një rol dhe të jetë një aspekt për shumë njerëz.”

Një ish-punonjës tjetër thotë: “Sot është turp të thuash se ke punuar në NSO.” Ka ish-punonjës që po mendojnë nëse duhet të lënë faktin që ata kanë punuar atje në profilet e tyre LinkedIn, megjithatë në të njëjtën frymë ata thonë se besojnë në misionin e kompanisë.

 

Disa ish punonjës dhe njerëz që e njohin fushën ofensive kibernetike besojnë se arsyeja që NSO është bërë një punëdhënës më pak tërheqës në vitet e fundit nuk ka të bëjë me etikën, por me madhësinë e saj: Tani me 800 punonjës, ajo ka zhvilluar ADN-në e një korporate të madhe , ndërsa ka mundësi të tjera më tërheqëse në industri, fillestarë të rinj si Candiru dhe të tjerët.

Nuk është aspak e sigurt që industria izraelite e teknologjisë së lartë konsideron që punësimi në NSO është një njollë në CV e dikujt. “Kam marrë më shumë se 10 oferta në dy muaj”, thotë Tomer. “Punonjësit e NSO-së janë paragjykuar dhe mendoj se të gjithë e kuptojnë se realiteti është më kompleks.”

Shirley K. një inxhiniere e NSO, thotë se këtë javë ajo mori më shumë propozime për punë përmes LinkedIn sesa zakonisht, me sa duket pjesë e një përpjekjeje nga rekrutuesit e personelit për të përfituar nga kriza në kompani, raporton abcnews.al

 

Në të njëjtën kohë, kishte disa postime që shkaktuan debate për sa i përket, se deri në çfarë niveli punonjësit janë përgjegjës për përdorimin problematik të teknologjisë për të cilën punoi firma.

Stigma e OST-së?

Bisedat me drejtuesit, rekrutuesit dhe investitorët tregojnë se industria vendosi një damkë për ish-punonjësit e NSO, pavarësisht nëse ata po kërkojnë pozicione të tjera ose po përpiqen të mbledhin fonde për një “rifillim”. E megjithatë, kompanitë e marrin parasysh sfondin në një farë mase – dhe jo gjithnjë negativisht. Të gjithë të intervistuarit për këtë histori këmbëngulën të mbeteshin anonimë, edhe nëse nuk ishin kritikë.

Disa investitorë, madje edhe ata që investojnë në një fazë të hershme, kur ka thjesht një ide dhe investimi është më shumë tek vetë sipërmarrësit, nuk do të shmangin investimin tek ish-punonjësit e NSO.

“Unë nuk jam rregullator dhe mendoj se bojkotimi personal është një biznes i rrezikshëm që funksionon në të dy mënyrat. Unë e shmang vendimin nëse ajo që ata bëjnë është e ligjshme për agjencitë zyrtare,” tha një investitor, i cili vuri në dukje se nuk e kishte problem të investonte në njerëz që punonin për NSO.

 

 

Një investitor tjetër tha: “Sigurisht që ekziston një shkallë ambivalente për tërë këtë histori, por në fund të fundit nëse ata janë profesionistë dhe të përshtatshëm për detyrën, nuk shoh ndonjë problem real. Ne kurrë nuk e kemi refuzuar dikë sepse ai ka punuar në botët e kibernetikës ofensive”.

Një investitor tjetër, megjithatë, tha se ka klientë dhe drejtues të sigurisë së informacionit që nuk i pëlqejnë këta ish-sipërmarrës të NSO, sepse ata mendojnë se kompania nga kanë ardhur nuk është e besueshme. Ky investitor pranon që punëtorët nuk janë me të vërtetë fajtorë, por shtoi se ai kurrë nuk do të shkonte të punonte për NSO dhe se ka shumë në industri që tërhiqen nga ky fakt.

Gjuetarët e gjenive teknikë kanë një qëndrim paksa të ndryshëm për këtë çështje, duke thënë se duan të kuptojnë se çfarë e motivoi një punonjës në pozicionin e tij të mëparshëm, përpara se të vendosin se ku mund ose nuk mund të rekrutohen, raporton abcnews.al

“Ne nuk përjashtojmë kategorikisht klasa të tëra sipërmarrjesh – por më tepër shqyrtojmë parametra të shumtë si pjesë e procesit të rekrutimit, mes tyre dhe pse një person zgjodhi të punojë në një vend të caktuar. Ndonjëherë është një turmë e re që nuk e kupton gjithmonë plotësisht se në çfarë po futet ”, tha një CEO i një kompanie izraelite që merret me rekrutimet.

“Unë nuk mendoj se NSO njollos një person,” tha një rekrutues. “Unë do të doja të dëgjoja prej tyre se si ata e panë kompaninë dhe çfarë i bëri ata të qëndronin atje. Unë do të pres që ata të flasin për këtë me pjekuri. Unë duhet të sigurohem që ka një bazë të përbashkët etike “.

Një drejtor i burimeve njerëzore tha: “Sot tregu për talente është shumë konkurrues dhe mund të ndodhë që kompanitë të bëjnë kompromise. Rekrutuesit nuk i njohin gjithmonë të gjitha kompanitë apo janë në dijeni nëse produktet e këtyre kompanive bëjnë mirë apo jo, kjo është arsyeja pse titujt kryesorë nuk u bëjnë mirë këtyre kompanive.

Ka punëtorë që nuk e dinin se për çfarë bëhej fjalë dhe u larguan pas një ose dy vitesh, por nëse një punonjës ka punuar atje shumë vite, nuk ka dyshim se mund ta dëmtojë atë për sa i përket karrierës së tij. ”

Shumë e shohin NSO dhe kompani të tjera kibernetike si prodhues të armëve. Të paktën një nga ish-punonjësit e NSO me të cilin u bisedua për këtë reportazh, e ka informuar NSO-në për këtë. Si rezultat, kompania na kërkoi të flasim edhe me punonjësit aktualë, raporton abcnews.al

Ndërsa këto intervista, të kryera përmes Zoom, ishin bërë me zëdhënësin e kompanisë të pranishëm, ajo që doli prej tyre nuk ishte thelbësisht e ndryshme nga ajo që na thanë shumica e ish-punonjësve: ekziston qartë një hendek thelbësor midis imazhit publik të NSO-së dhe mënyrës se si punonjësit e firmës, si aktualë ashtu edhe ish, e perceptojnë atë.

“Ne jemi si Spiderman që ndiqet nga gazetari Jameson, por që nuk mund të shpjegojë se çfarë po bën, sepse u betua të mos hiqte maskën. Ne gjithashtu nuk mund të shpjegojmë se çfarë po bëjmë dhe sa sulme kemi parandaluar,”t ha Michael Barda, i cili merret me shitje.

“Edhe pse unë kam qenë në kompani për pesë vite, ajo që ndodhi javën e kaluar ishte me të vërtetë e fuqishme. Nuk është e këndshme dhe nuk është normale, sepse ne e shohim kompaninë në një kënd krejt tjetër nga ai që ata po thonë për ne. Është shumë zhgënjyese dhe e pajustifikueshme. A e dini sa e vështirë është t’i shpjegosh këtë nënës sime? Nëntëdhjetë përqind e gjërave që shfaqen në gazeta nuk janë të vërteta, por si mund ta vërtetojmë? ”

Ka pasur shumë raportime në lidhje me përdorimin e teknologjisë duke shënjestruar aktivistët e të drejtave të njeriut, kundërshtarët e regjimit, gazetarët dhe madje anëtarët e komunitetit LGBTQ. A mund të flini mirë natën, i sigurt se njerëz të tillë nuk po dëmtohen?

Barda: “Sigurisht, jam i sigurt për këtë. Absolutisht. Dhe nëse diçka ndodh, unë e di që kompania do të bëjë menjëherë atë që është e nevojshme për ta rregulluar atë. Mos harroni se ne nuk fusim duart në sistem, por kemi të gjithë mekanizmat e nevojshëm për ta ndaluar [sistemin] menjëherë. Unë mbështetem te udhëheqja jonë dhe kam besim se ata dinë çfarë të bëjnë nëse diçka ndodh.”.

Akoma, një teknologji e tillë mund të përdoret për të bërë gjëra problematike.

Barda: “Nuk e di, është e mundur, por preferoj të përqendrohem te e mira. Unë zgjodha të jem optimist në jetë, dua të jetoj në një vend të mirë dhe e di që po bëjmë shumë mirë ”.

“Inteligjenca nuk është binare.”

Të gjithë njerëzit me të cilët është biseduar pretenduan se pjesa më e madhe e veprimtarisë së NSO-së ka të bëjë me parandalimin e sulmeve terroriste, kapja e tregtarëve të drogës, parandalimi i pedofilisë, etj.

“Kur jemi të ekspozuar ndaj incidenteve terroriste që ata ndihmuan për të parandaluar, për kapjen e” El Chapo “(nofka e bosit meksikan të drogës) ose kapjen e anëtarëve të Boko Haram që kryen masakrën e qindra vajzave të reja – ju nuk mund të mos besoni në kompani ”, tha një nga ish-punonjësit.

“Sidoqoftë, kjo natyrisht nuk do të thotë që nuk ka abuzim të teknologjisë dhe se nuk ka nevojë për mbikëqyrje më të afërt të klientëve që abuzojnë me sistemin,” shtoi ai.

Dhe në fakt, të gjithë ata që kanë punuar në NSO duket se janë në gjendje të recitojnë mesazhet kryesore të kompanisë, të cilat përsëriten në biseda të ndryshme, dhe të cilat qëndrojnë në komitetin e etikës së kompanisë, i cili sipas firmës ka refuzuar marrëveshjet kryesore, pavarësisht nga fakti që ato ishin aprovuar nga Ministria e Mbrojtjes.

“Ka njerëz super-etikë në kompani dhe të gjithë ata që janë të përfshirë në zhvillim shqetësohen me ditë të tëra për ‘të. Këta janë njerëz me një ndjenjë të madhe përgjegjësie. Kur gjërat që jeni të bindur se bëjnë mirë në botë, delegjitimohen – kjo është një përvojë e vështirë, “thotë Tomer.

“Ne jemi të interesuar të kemi mjetet që përdoren për mirë, dhe nëse rastësisht dëgjojmë ndryshe – dikush është kujdesur për të”, thotë ekspertja e sigurisë kibernetike Anna Plohotnichenko.

“A është e mundur të bësh 120 përqind dhe të bësh vetëm mirë? Në botën e inteligjencës, thjesht nuk është aq e thjeshtë, inteligjenca nuk është binare – e mirë apo e keqe. Jam plotësisht i sigurt në vendin ku jam, sepse e di se çfarë kushtesh etike plotëson kompania ime, dhe ato që ne i kërkojmë vetes.

Ne duam që mjetet të përdoren për qëllime të mira, nuk kam dyshime dhe për këtë arsye nuk shqetësohem nga artikujt. NSO gjithashtu zgjedh klientët e saj dhe nuk lejon përdorim të pahijshëm të sistemeve “.

Një nga pikëpyetjet e mëdha rreth kompanisë, është identiteti i vendeve të cilave u shitet teknologjia, e cila përfshin edhe vendet jo-perëndimore. Në raportin e transparencës së kompanisë të botuar së fundmi, ajo pretendoi se gjatë gjithë viteve ka humbur të ardhura deri në 300 milion dollarë, duke u larguar nga marrëveshjet për shkak të shkeljeve të mundshme të të drejtave të njeriut nga klientët e mundshëm, raporton abcnews.al

Raporti shpjegon se ekziston një renditje për çdo vend dhe në bazë të saj ata vendosin nëse NSO do të shesë teknologjinë në atë vend dhe në çfarë niveli, por është e pamundur të mësosh renditjen e çdo vendi, dhe pse firma megjithatë shet në vende të tilla si Arabia Saudite. Me sa duket kjo çështje – e vijave të kuqe të NSO – është e tillë që të punësuarit rrallëherë kanë dyshime në lidhje me të.

Shirley Kontanta, një inxhiniere e sigurimit të cilësisë, thotë: “Të gjitha llojet e kompanive krijojnë produkte teknologjike. Ju mund të mendoni për produktet më të thjeshta në botë, madje edhe thika dhe pirunë – gjërat themelore që prodhohen për një nevojë specifike, por ka njerëz që do t’i përdorin ato për një qëllim tjetër.

Unë ndiej se kompania po bën gjithçka që ka në dorë në mënyrë që ata të mos e përdorin produktin tonë të mahnitshëm për gjëra që nuk janë për të shpëtuar jetë. Unë e di pa asnjë dyshim se dhe unë jam gjithashtu e ekspozuar ndaj rasteve kur ata thanë ‘Jo, absolutisht jo’. ”

Ekziston edhe një gjë tjetër që mund të bëhet – të mos u shesësh atyre vendeve.

Yefi Dampti, tha: “Unë jam në favor të shitjes në ato vende nëse është për një qëllim të mirë. Ata gjithashtu kanë shitës droge dhe pedofilë, dhe ata kanë të drejtë të mbrojnë veten e tyre. Nëse abuzojnë me produktin – duhet të mbyllet marrëveshja “.

Por si mund ta kuptoni nëse ka pasur një abuzim të tillë? Fakti është se gjatë gjithë viteve vetëm pesë klientë janë bllokuar.

“Ne nuk kemi qasje në materialet e tyre të inteligjencës. Nuk mund të ketë ndonjë qasje. Por nëse ka ndodhur që dikush të hetojë dhe të thotë se një gjë e tillë ekziston, atëherë ne hyjmë në veprim.”

Pra është gjë e mirë që ka hetime.

Dampti: “Po, shumë e mirë, ne jemi transparentë me të gjitha llojet e organizatave, por sulmi ndaj nesh?

Thjesht po përpiqen të shpifin për ne – dhe është turp që ka përpjekje të tilla. Shikoni pak të mirat dhe jo vetëm të këqijat. Nëse dikush do të vinte tek ne – kompania do të kontrollonte pa arritur në ato tituj gazetash, dhe do ta bënte më mirë pa të gjitha shqetësimet përreth.

Unë jam për të mos bërë keq, dhe kjo është arsyeja pse ka edhe reagime dhe kontrolle të brendshme, kompania nuk do të jetë kurrë 100 për qind, por ka media që pëlqejnë të marrin 10 për qind dhe ta kthejnë atë në 90 për qind “.

Kontanta: “Këto janë gjëra që i lexoni dhe i thoni vetes: ‘Oh, nuk besoj se ka ndodhur’. Unë nuk e di nëse një raportim specifik është i saktë apo jo, por gjërat ndodhin dhe ne të gjithë pendohemi për këtë.

Kur dëgjoni se një klient abuzon me sistemin, kjo shkakton një reagim negativ, sepse ky nuk ishte qëllimi ynë. Qëllimi ynë është të kursejmë jetën dhe të zvogëlojmë krimin. Ka gjëra shqetësuese, por unë e njoh karakterin e kompanisë. Këto janë gjëra që ngjallin debate, por ne të gjithë jemi si një familje, jemi si shokë në armë. Unë jam një patriot i organizatave jo qeveritare “.

 

Ju flisni për abuzim të sistemit, por le të kthehemi sërish në identitetin e klientëve – në regjimet jodemokratike ka më shumë mundësi që të ketë abuzime me sistemin.

Damty: “Mund të ketë abuzim në çdo kompani, për shembull një që prodhon kamera në miniaturë. Ju do t’i shisni ato në polici dhe pastaj do të jetë një oficer policie që do të instalojë kamerat në banjë.”

Një regjim jodemokratik nuk është një regjim që ka shkelur rregullat – është një regjim jodemokratik.

Damty: “Unë nuk i gjykoj regjimet. Një diktaturë mund të jetë e drejtë, dhe ata gjithashtu meritojnë mbrojtje. Dhe nëse ata e përdorin atë në një mënyrë të pahijshme – ky është një turp dhe unë shpresoj se ata do të bllokohen nga sistemi, nëse nuk janë bllokuar deri tani “.

Alon një ish-punonjës, pyet veten pse ka kritika ndaj NSO dhe jo ndaj firmave të sigurisë të tilla si Israel Aerospace Industries, Rafael Advanced Defense Systems dhe Elbit Systems.

“Për shkak se NSO konsiderohet një firmë e teknologjisë së lartë? Mund të jetë e pakëndshme ta thuash këtë, por NSO është gjithashtu një kompani armësh. Ekziston një pyetje tjetër – a është e lejueshme të prodhohet një plumb 5.56 mm apo teknologji sulmi kibernetik?

“Ky është një diskutim filozofik, por unë preferoj që ata të përdorin teknologji kibernetike kundër njerëzve, në vend që t’i arrestojnë, t’i ngacmojnë pa ndonjë arsye ose t’i vrasin”, tha ai. Sidoqoftë, ai pranoi që ky trajtim gjoja “i pastër” është gjithashtu problematik, sepse viktima nuk e ka idenë se është nën sulm dhe nën mbikëqyrje.

Alon thotë se: “Në lidhje me dëmtimin që mund t’i bëhet anëtarëve të opozitës dhe gazetarëve, pyetja është se çfarë e mban ekuilibrin – nëse për të parandaluar terrorin ose pedofilinë ka të tilla efekte anësore, atëherë unë nuk jam kundër kësaj.

Ekziston edhe një pikë tjetër e rëndësishme – të cilën firma nuk e diskuton me punonjësit – pikërisht përfitimi për shtetin e Izraelit në fushën diplomatike dhe të sigurisë. Sipas mendimit tim, kur regjimi në vendet e Lindjes së Mesme është i qëndrueshëm, dhe ata bëjnë punën e tyre, atëherë shanset që dikush atje të fillojë të luftojë me Izraelin është më i vogël.

Izraeli ka një interes në forcimin e atyre regjimeve në mënyrë që terrori të mos lindë atje dhe në fund të kthehet kundër nesh, ose ndryshe, në mënyrë që të kujdeset për interesat e sigurisë së Shtetit të Izraelit. ”

Përktheu Sonila Backa-abcnews.al