Eksperti Geron Kamberi në një intervistë në “News Line” në ABC News foli për Pavarësinë e Kosovës, sfidat e vendit si edhe gjyqin në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK.
Gjatë intervistës, eksperti Kamberi, tha se Kosova ka arritur pjekurinë politike, por megjithatë ka sfida të shumta që lidhen edhe me një situatë gjeopolitike që po lëviz më shpejt.
“Kosova ka pasur shumë sfida. Vetë historia e saj ka shumë sfida. Tashmë sfida që ka Kosova është e dyfishtë, e para njohja e mëtejshme e saj, pasi ende ka një prani të konsiderueshme të faktorit ndërkombëtar me forca ushtarake, ende ka pa mbyllur një proces njohje nga ana e Serbisë. Natyrisht edhe pjesa e konsolidimit të institucioneve apo zhvillimit ekonomik. Ndërsa për Gjyqin në Hagë është një sfidë edhe për imazhin, por kjo nuk është hera e parë”, tha ai.
Gjatë intervistës eksperti Kamberi tha se procesi në Hagë ka nisur me një presion brenda politikës së Kosovës.
“Kohëzgjatja e një gjykimi lidhet me shumë faktorë, natyrisht kush ka parasysh që janë prej 5 vitesh pa marrë një dënim është kohë e gjatë. Por vetë procesi kur ka nisur ka pasur presion të brendshëm brenda politikës së Kosovës. Pasi ka pasur shumë debat për miratimin dhe mosmiratimin e kësaj gjykate…dhe ajo që vjen më pas është histori. Edhe pse dëshira jonë është që udhëheqësit që kanë pasur rol kyç, vendimi i gjykatës së Hagës të përmbyllet me pafajësi. Duke gjykuar nga masa e viteve që kanë kërkuar prokurorët duket që mund të ketë qenë edhe një strategji për të justifikuar një vendim sado minimal. Kjo që po ndodh është transferuar në pjesën e imazheve dhe goditjen e simboleve dhe kjo nuk rregullohet me apel. Kosova “hakmarrja” më e mirë është që të tregojë se e ka merituar sakrificën, luftën dhe ta konsolidojë shtetin e saj”, tha ndër të tjera ai. /abcnews.al/


