Pavarësia e magjistratëve, Metani: Krijimi dhe konsolidimi i shtetit të së drejtës nuk është një proces i lehtë

schedule09:32 - 24 Qershor, 2022

schedule 09:32 - 24 Qershor, 2022

Me iniciativë të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë ditën e  sotme u mbajt në Tiranë Konferenca Ndërkombëtare e Shërbimeve të Inspektimit të Drejtësisë të vendeve të BE-së.

Në konferencë u diskutua mbi pavarësinë e magjistratëve dhe interesin e publikut.

Pjesëmarrës në takim ishin përfaqësues të Inspektorateve të Drejtësisë të vendeve të BE-së, konkretisht Belgjikës, Bullgarisë, Francës, Greqisë, Italisë, Portugalisë, Rumanisë, Spanjës.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani u shpreh se ideja e këtij aktiviteti lindi pas bisedimeve me homologun  rumun Lucian Netoroju, mbi disa çështje lidhur me administrimin e drejtësisë, pavarësinë e magjistratëve, si dhe rolin e shërbimeve të inspektimit në këtë proces.

Metani: Të dy ndamë të njëjtin qëndrim: pavarësisht dallimit dhe diversitetit të kulturave tona politike,  juridike, sociale apo ekonomike, historia në Evropë dhe jashtë saj po tregon se pavarësia e magjistratëve nuk duhet marrë si e mirëqenë, por mbetet një çështje që i përket të gjitha vendeve.  Ky është standard i një dimensioni të përbashkët të shoqërive tona. Ky është një standard ndërkombëtar.

Metani u shpreh se të gjitha vendet duhet të shtojnë përpjekjet për forcimin e kësaj pavarësie, por gjithashtu edhe për të rritur efikasitetkin dhe përgjegjshmërinë e organeve të drejtësisë.

Metani: Sot të gjitha vendet duhet të shtojnë përpjekjet për forcimin e kësaj pavarësie, por nga ana tjetër edhe rritjen e efikasitetit dhe përgjegjshmërisë së organeve të sistemit të drejtësisë. Të dyja nuk mund të ecin, përveç se bashkë. Sa më i përgjegjshëm një magjistrat, aq më i garantuar është qytetari për të drejtat e veta. Sa më i pavarur magjistrati, aq me demokratikisht ecën shoqëria. Të dyja këto standarde, cilësia e drejtësisë dhe pavarësia e magjistratëve janë prioritet i të gjitha vendeve.

Ai theksoi se ka nevojë që të gjithë ne të gjejnë rrugën e duhur për të bashkëpunuar dhe për të identifikuar mundësitë dhe metodat më të mira të komunikimit dhe shkëmbimit me njëri-tjetrin.

Metani: Krijimi apo konsolidimi i shtetit të së drejtës nuk është një proces i lehtë. Shqipëria ka kryer një reformë të thellë ligjore dhe institucionale në sistemin e drejtësisë. Kjo reformë u mbështet fort në çdo kuptim nga partnerë të vyer si Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe tashmë sfida e zhvillimit të kësaj reforme është përgjegjësia e aktorëve të drejtësisë.

Në përfundim, Metani u shpreh se respektimi i të drejtave të njeriut, demokracia dhe shteti i së drejtës përbëjnë një aset kryesor për Bashkimin Evropian dhe ruajtja apo sigurimi i tyre përbën një përgjegjësi të përbashkët për të gjitha institucionet e BE-së, si dhe shtetet anëtare të tij./Abcnews.al/