TIRANË- “Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë kanë rol thelbësor për të krijuar norma dhe garantim të sigurisë juridike në vend”. Kështu u shpreh kreu i shtetit Bajram Begaj, në fjalën e tij, në nisje të vitit të ri gjyqësor.
Ai foli dhe për vrasjes e gjyqtarit të Gjykatës së Apelit, Astrit Kalaja, duke e cilësuar aktin si një kambanë alarmi për të gjitha institucionet në vend. Gjithashtu, presidenti apeloi për drejtësi efektive, e cila i shërben të drejtës ligjore dhe asaj kushtetuese.
“Boshti themelor i reformës në drejtësi ishte pavarësia e gjyqësorit. Sot, gjyqësori është juaji. Sistemi i drejtësisë ka fituar autonomi të plotë. Kjo pavarësi është një arritje madhore, por pavarësia shkon domosdoshmërisht krah për krah me përgjegjësinë. Edhe funksionimi, integriteti dhe besueshmëria e sistemit të drejtësisë janë, në radhë të parë, përgjegjësia juaj.
Pavarësia e sistemit të drejtësisë është gur themeli i patjetërsueshëm i rendit tonë kushtetues dhe funksionimit të shtetit të së drejtës. Pavarësia e gjyqësorit nuk duhet kuptuar vetëm si ndarje formale nga pushteti politik. Ajo është aftësi reale e sistemit të drejtësisë për të ushtruar funksionet pa presione apo ndërhyrje, duke garantuar një drejtësi efektive, të paanshme dhe në përputhje me standardet evropiane. Por kjo pavarësi nuk duhet të kthehet në një vetëizolim institucional apo mungesë llogaridhënie.
Ky vit gjyqësor duhet të shënojë kalimin nga faza e reformës në drejtësi në fazën e drejtësisë funksionale e të qëndrueshme. Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë kanë rol thelbësor për të krijuar norma, praktika unifikuese dhe garantim të sigurisë juridike. Strukturat e qeverisjes së sistemit: Këshilli i Lartë Gjyqësor, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi dhe Shkolla e Magjistraturës mbeten thelbësore në funksionalitetin e sistemit të drejtësisë për vetëmenaxhim, transparencë dhe llogaridhënie. Çështjet administrative, procedurale dhe buxhetore të sistemit të drejtësisë nuk mund të adresohen nga një institucion i vetëm. Ato kërkojnë bashkërendim dhe bashkëpunim ndërinstitucional, veprime të domosdoshme dhe thelbësore për suksesin e reformës në drejtësi.
E mirëkuptoj kompleksitetin e funksionit të çdo gjyqtari apo prokurori. I kuptoj sfidat dhe vështirësitë me të cilat përballet sistemi i drejtësisë, por, nga ana tjetër, shqetësimet e qytetarëve që i kërkojnë drejtësisë vendimmarrje të drejta dhe në kohë të arsyeshme, ashtu siç ligji parashikon, mbeten detyrim kushtetues për garantimin e të drejtave themelore dhe përbëjnë elementin thelbësor të një procesi të rregullt ligjor dhe me standarde.
Është e vërtetë se drejtësisë, që të funksionojë, i duhen kushte optimale, kushte që i japin funksionit dinjitet, por mungesa e tyre nuk duhet të na bëjë të harrojmë se, para së gjithash, drejtësia është ideal dhe pastaj zotim publik.
Prej vitesh drejtuesit tuaj kanë kërkuar, me të drejtë, më shumë pavarësi, siguri, mbrojtje dhe respekt për magjistratët. Vrasja tragjike e gjyqtarit Astrit Kalaja në tetor të vitit të kaluar është një kambanë alarmi për të gjithë ne, institucionet dhe shoqërinë shqiptare. Siguria e jetës dhe dinjiteti juaj nuk janë privilegje, por kusht për ekzistencën e shtetit të së drejtës.
Por pavarësia, siguria dhe respekti nuk janë qëllimi në vetvete. Ato janë vetëm mjete për të realizuar qëllimin. Çdo ditë, çdo ditë duhet të flasim për qëllimin, për drejtësinë dhe cilësinë e saj, për vënien e sistemit në eficiencë, për rezultatet në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, për shmangien e arbitraritetit dhe forcimin e standardeve, për suksesin e mekanizmave të vetëkontrollit. Vetëm kështu merr kuptim pavarësia dhe fitohet besimi publik.Jo çdo gjë varet nga ju. Disa i ka në dorë t’i zgjidhë qeveria e ca më shumë parlamenti. Por ato që janë në dorën tuaj, janë të rëndësishme, janë themelore për mbarëvajtjen e reformës.Në këtë kontekst, kërkohet përgjegjësi institucionale, ku vendimmarrja të jetë ushtrim i funksionit kushtetues që garanton siguri juridike, parashikueshmëri dhe barazi përpara ligjit. “, tha ai./abcnews.al


